Ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau ka dënuar aktet e vandalizmit kundër pesë institucioneve hebraike në Paris, sipas kanalit francez të lajmeve France 24.
“Jam thellësisht i neveritur nga këto akte të shëmtuara që synojnë komunitetin hebre”, tha Retailleau në llogarinë e tij X.
Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, gjithashtu dënoi aktet e “frikësimit” në termat më të ashpra të mundshme.
“Antisemitizmi nuk ka vend në qytetin tonë apo në Republikën tonë”, tha ajo, e cituar nga France 24.
Një burrë i panjohur vandalizoi gjatë natës, nga e premtja deri të shtunën, me bojë të gjelbër memorialin e Holokaustit në Paris, dy sinagoga dhe një restorant hebre.
Sipas kanalit francez të lajmeve, komuniteti hebraik francez, një nga më të mëdhenjtë në botë, ka qenë prej muajsh i shqetësuar përballë një numri në rritje sulmesh dhe përdhosjesh të memorialeve që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023.
Izraeli nisi një ofensivë tokësore dhe ajrore në Gaza pas sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1,200 njerëz dhe morën 251 pengje, sipas shifrave izraelite.
Izraeli mbylli pikat kufitare dhe kufizoi fluksin e ndihmës humanitare në Gaza më 2 mars. Qasje e kufizuar është lejuar që nga 22 maji.
Izraeli rifilloi sulmin ndaj Gazës më 18 mars, pas një armëpushimi dy-mujor me Hamasin. Që atëherë, 4,149 palestinezë janë vrarë dhe 12,149 të plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore me qendër në Gaza të dielën .
(A.A/BalkanWeb)
