Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Vanderful, deklaroi sot se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Gjenevë lidhur me të ashtuquajturin “plan Trump” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë shënuar një “sukses vendimtar” për vendet evropiane. Sipas tij, plani i ri i paqes nuk përfshin më kufizime apo klauzola që lidhen me perspektivën e Ukrainës për anëtarësim në NATO.
“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Evropën, përfshirë ato që kanë të bëjnë me NATO-n, janë hequr nga ky plan. Ky është një sukses vendimtar që arritëm dje,” tha Vanderful në një intervistë për radion Deutschlandfunk. Ai theksoi se qëndrimi evropian ka qenë i pandryshueshëm që në fillim të negociatave: çdo marrëveshje për paqen nuk mund të hartohet duke anashkaluar interesat dhe pozicionet e evropianëve, por mbi të gjitha të vetë Ukrainës.
“Ishte e qartë që në fillim, siç e kemi thënë vazhdimisht, se çdo marrëveshje nuk duhet të anashkalojë evropianët dhe ukrainasit,” shtoi ministri gjerman. Bisedimet në Gjenevë po vazhdojnë mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase, ndërsa detaje të tjera mbi përmbajtjen e planit të ri ende nuk janë bërë publike.
