Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për Fox News se vendi i tij nuk ka ndërmend të braktisë programin e pasurimit të uraniumit, duke pranuar se objektet bërthamore të goditura gjatë sulmeve të fundit të SHBA-së dhe Izraelit kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Programi “është ndalur sepse, po, dëmi është serioz dhe domethënës, por padyshim që nuk mund ta braktisim pasurimin, kjo është një arritje e shkencëtarëve tanë. Dhe tani, mbi të gjitha, është çështje krenarie kombëtare”, tha kreu i diplomacisë iraniane në një intervistë që i dha gazetarit Brett Baier, një fragment i shkurtër i së cilës u publikua sot disa orë para transmetimit të saj.

Ministri i jashtëm i Iranit konfirmoi se shkalla e dëmit në objektet bërthamore të vendit nga sulmet amerikane muajin e kaluar ishte “serioze”, por nuk komentoi nëse ndonjë uranium i pasuruar i mbijetoi sulmeve.

“Objektet tona janë dëmtuar – ka dëme serioze”, tha Araghchi. “Shkalla e dëmit tani po vlerësohet nga organizata e energjisë atomike e vendit tonë. Por, për aq sa di unë, ato janë dëmtuar rëndë”, shtoi ai.

Irani ka pohuar se nuk kërkon të sigurojë armë bërthamore, por përpara sulmeve izraelite dhe amerikane, ekspertët e sigurisë kishin shprehur shqetësimin se Teherani ka të ngjarë të jetë në gjendje të ndërtojë të paktën një armë bërthamore brenda pak ditësh dhe disa koka bërthamore brenda pak javësh.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb