Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar paralajmëroi se Lindja e Mesme do të mbetet e paqëndrueshme nëse grupi militant palestinez Hamas do të mbetej në pushtet në Rripin e Gazës.
“Nëse Hamasi do të qëndrojë në pushtet, paqëndrueshmëria rajonale që shkakton mund të vazhdojë”, tha Saar në një konferencë për shtyp.
Duke folur kur një armëpushim hyri në fuqi në Gaza, Saar tha se Izraeli ishte i përkushtuar për të arritur të gjitha qëllimet e luftës së tij kundër Hamasit, duke përfshirë çmontimin e aftësive të tij qeveritare dhe ushtarake.
Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron një armëpushim të përhershëm, shtoi ai, atëherë ai duhet të përfshijë shpërbërjen e Hamasit si fuqi ushtarake dhe entitet qeverisës në Gaza.
Deklarata e tij erdhi pasi udhëheqësit palestinezë që administrojnë pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli thanë se ata janë të gatshëm “të marrin përgjegjësinë e plotë” në Rripin e Gazës.
Zyra e presidentit Mahmud Abbas tha se agjencitë administrative dhe të sigurisë të Autoritetit Palestinez përfunduan përgatitjet për të rivendosur shërbimet kritike në Gaza, e cila është kontrolluar nga Hamasi.
Por ende nuk ka një plan se kush do ta qeverisë Gazën pas luftës.
Izraeli ka thënë se do të punojë me palestinezët lokalë që nuk janë të lidhur me Hamasin ose Autoritetin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi. Por është e paqartë nëse ekzistojnë partnerë të tillë dhe Hamasi ka kërcënuar këdo që bashkëpunon me forcat izraelite.
Autoriteti Palestinez kontrollonte Gazën përpara se Hamasi ta dëbonte me dhunë në vitin 2007, një vit pasi mori një fitore dërrmuese në zgjedhjet palestineze.
(A.A/BalkanWeb)