Prej disa muajsh Malit i Zi është tronditur nga një konflikt midis qeverisë pro-Evropiane dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila po proteston kundër një ligji të ri që e bën të detyrueshëm regjistrimin e pronave të kishave. Protestuesit frikësohen se Shteti mund të konfiskojë kishat ortodokse serbe. Qeveria e Malit të Zi hedh poshtë këtë interpretim të ligjit të ri. Në një intervistë për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24, ministri i jashtëm i Malit të Zi Srđan Darmanović hedh dritë mbi situatën e krijuar duke theksuar se në Serbia përpiqet që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Malit të Zi duke e bërë këtë në mënyrë shumë të hapur thuajse çdo ditç përmes propagandës, luftës hibride dhe sigurisht duke favorizuar klientët e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Zoti Minister, jemi përpjekur që të ndjekim situatën politike në Malin e Zi ku janë zhvilluar protesta masive. A mund të na bëni një pasqyrim për publikun shqiptar të asaj që po ndodh në vendin tuaj?

Do përpiqem ta shpjegoj me detaje, por bëhet fjalë për një përplasje mes kishës ortodokse Serbe dhe shtetit. Gjithcka u nxit kur Mali i Zi kaloi një ligj për liritë fetare dhe të drejtat e komuniteteve fetare. Eshtë ligji që zëvendesoi ligjet komuniste të viteve 70 dhe ligji është shumë liberal në natyrën e tij. Ne në fakt ndoqëm traditën e madhe që e gjithë bota demokratike trashëgoi sipas kushtetutës amerikane, sa besimtare aq edhe kisha. Ky ligj u vlerësua nga komisioni i Venecias si shumë pozitiv dhe si një hap shumë i madh përpara në legjislacionin e Malit të Zi, si një ligj që është tërësisht në përputhje me standardet europiane. Por kisha ortodokse serbe e kundërshtoi çështjen e pronave duke nxitur protesta të mëdha. Sigurisht që ketu nuk kemi të bëjmë me procesione fetare, por aktivitete politike klasike të kishes ortodokse serbe. Ne, pra ekipet qeveritare, ato ligjore nisëm të negociojme me kishen për çështjet e pronave, por kisha ortodokse serbe mban në pronësi të saj disa objekte që janë trashëgimi kulturore e shtetit të Malit të Zi dhe ne ofruam në ligj që çdo vend i shenjtë ose kisha që janë ndërtuar dhe mbrojtur nga shteti i Malit të Zi përpara vitit 1918, përpara se Mali i Zi të bëhej pjesë e Jugosllavisë të bëhen pronë shtetërore. Nga ana tjetër dhe për ato që janë qartasi në pronësi të kishës ortodokse serbe, nuk do të kishte asnjë problem. Shumë kisha dhe prona të tjera në fakt ishin transferuar në mënyrë të paligjshme në pronësi të kishës serbe dhe ne tani po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’i futur në kornizën ligjore. Nga ana tjetër, kisha serbe është komuniteti i vetëm fetar në Mal të Zi që nuk është i regjistruar. Ata thonë se ne nuk kemi nevojë për regjistrim sepse jemi të regjistruar nga Zoti, por gjithë të tjerët si katolikët, myslimanet dhe gjithë të tjerët janë të regjistruar. Pra kisha ortodokse serbe dëshiron që të qëndrojë jashtë sistemit ligjor të Malit të Zi dhe si një vend anëtar i Nato-s dhe vend që pritet të anëtarësohet në Bashkimin Europian nuk mund ta pranojë këtë. Keshtu kisha nxiti protesta dhe mori mbështetje të plotë nga Serbia. Por protestat për pronësinë janë vetëm një shtrese e problemit. Eshtë ndoshta vetëm shtresa e sipërfaqes. por në thellësi ka të bëjë me kundërshtinë ndaj shtetit të Malit të Zi dhe kundër orientimit perëndimor të Malit të Zi, kundër anëtarësimit të Malit të Zi në Nato dhe në Bashkimin Europian. Siç mund ta dini Kisha ortodokse serbe ishte kundërshtari më i ashpër i anëtarësimit të Malit të Zi në Nato.

Përse?

Sepse janë të orientuar kundër perëndimit. Eshtë kisha që në shprehjen e saj mban një pozicion shumë të hapur anti amerikan dhe anti perëndimor, është tërësisht e orientuar nga lindja. Edhe brenda kishës ortodokse, janë të lidhur me patriarkalen e Moskës dhe jo atë të Stambollit dhe kisha serbe është në një konflikt me të gjitha vlerat ku Mali i zi kërkon të anëtarësohet siç është Nato apo BE. Unë do të thoja se ka një konflikt të thellë vlerash dhe është ajo me të cilën perballemi tani. Zgjedhjet e ardhshme me të cilat do të përballemi do të jenë zgjedhje mes koalicionit qeveritar kundër Kishës dhe partive të lindjes.

Dhe zgjedhjet do të mbahen këtë verë…

Ato mbahen me 30 gusht. Kështu, kisha serbe nuk e njeh Malin e Zi si kombësi. Ata mbajnë gijthmone një teori të vjetër që Malazezët janë serbë dhe kaq. Në fakt shumica e malazezëve janë vetëdeklaruar malazezë dhe jo Serbë.

Pra besoj se kjo ka shkaktuar shumë ndasi, apo jo?

Sigurisht. Por ata thonë se kombësia malazeze është produkt i kohës së komunizmit dhe se etnia malazeze është krijuar nga Tito, por në fakt kjo është një fyerje e madhe për shumicën e popullit malazez. Kështu, protestat janë një përzierje e një sentimenti anti perëndimor, apo një sentimenti anti malazez modern dhe mendoj se kisha serbe do të donte ta shikonte sërish Malin e Zi si pjesë e një shteti pan serb ose si një lloj Republika Serbska sot. Ndoshta si një shtet i pavarur, por me një orientim komplet serb. Për këtë ekziston ky konflikt politik dhe është kaq i thellë tani. Ai konflikt do të zgjidhet në zgjedhjet e ardhshme.

Zoti Minister, si kane ndikuar keto protesta në raportet mes Malit të zi dhe Serbisë?

Serbia në fakt ka ndryshuar sjelljen e saj të të qënurit një fqinj relativisht i mirë duke i mbështetur protestat me kapacitet të plotë. Duke zhvilluar çdo ditë një propagande të ashpër kundër Malit të Zi në mediat serbe dhe në mënyrë organizative. Kështu Serbia ndryshoi nga të qënurit një fqinj relativisht i mirë në një aktor në rajon që është kundër qeverisë së Malit të Zi.

Pra ju po thoni se Serbia po destabilizon Malin e Zi, apo jo?

Gjatë muajve të fundit po. Ata po përpiqen që të ndërhyjne në çështjet tona të brendshme dhe po e bëjnë këtë në mënyrë shumë të hapur thuajse çdo ditç përmes propagandës, luftës hibride dhe sigurisht duke favorizuar klientët e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Eshtë shumë e qartë dhe ne e theksojmë këtë disa herë Ata ndihen relativisht të fortë tani kur duhet të zgjidhin çështjen e Kosovës dhe pse çështja e Kosovës është zgjidhur shumë vite më parë duke u njohur nga shumë vende duke përfshirë Malin e Zi. Por ata përpiqen të përdorin mundësinë për të qenë një nga aktorët në negociata për t’i bërë presion Malit të Zi në këtë rast dhe kjo politikë nuk është në favor të bashkëpunimit të mirë në rajon. Ne nuk ndërhyjmë aspak në çështjet e brendshme të Serbisë. Ne përpiqemi të jemi ashtu si me fqinjët e tjerë bashkëpunues me synimin për prosperitet në rajon. Ne mbështesim integrimin evropian të rajonit duke përfshirë edhe të Serbise dhe tani edhe të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ju madje në procesin integrues jeni përpara.

Padyshim. Më në fund i kemi hapur të gjithë kapitujt negociues dhe ne besojmë se Serbia nuk duhet të bëjë atë që po bën tani kundrejt Malit të Zi. Nëse do të lexonit shtypin serb, çdo ditë mund të dalloni një fushatë inflamatore kundër fqinjit të saj.

Zoti Minister, a keni ndonje të dhënë se këto protesta në Mal të Zi po mbështeten nga Rusia?

Une nuk jam hetues, por disa deklarata të disa zyrtareve të lartë të Federatës Ruse me bëjnë t’i përgjigjem me po pyetjes tuaj. Ata nuk e kanë humbur rastin përmes zëdhënëses së ministrisë së jashtme për të mbështetur kishën ortodokse serbe dhe protestat në Malin e Zi, për të theksuar se Mali i zi është duke u përpjekur që të përçajë siç thonë ata, krishtërimin ortodoks dhe kolegu im rus, ministri i jashtëm Sergei Lavrov shkoi deri aty sa të akuzojë presidentin Gjukanoviç se kishte tradhëtuar interesat ruse dhe Rusinë. Unë nuk do të thoja se ndërhyrja ruse në çështjet e brendshme të Malit të Zi në këtë rast është kaq i dukshëm sa përpjekja për një grusht shteti në vitin 2016. Unë do të thosha se është më i përmbajtur dhe më pak i dukshëm por siç e thashë është e qartë dhe për të qenë i sinqertë, Rusia nuk ka nevojë për ta bërë këtë haptasi. Serbia dhe herë pas herë Republika Serbska po e bëjnë këtë punë në mënyrë entuziaste këtë herë.

Kuptoj. Zoti Ministër, disa vite më parë u bëmë dëshmitar të një plani që dyshohet se është rus për të rrëzuar qeverinë e Malit të Zi, për të vrarë ish kryeministrin Gjukanoviç dhe për të bllokuar anëtarësimin e vendit në Nato. Cfarë ka ndodhur që nga ajo kohë në raportet e Podgorices me Moskën?

Në shumë aspekte në fakt gjërat kanë qenë të qeta. Pasi u bëmë vend anëtar i Nato-s, ajo që është shumë e rëndësishme në marrëdhëniet aktuale me Serbinë është se Beogradi që organizon këtë fushatë në Mal të Zi duhet të ketë në mendje faktin se jemi vend anëtar i Nato-s, por pas anëtarësimit në Aleancen Veri Atlantike, rusët sigurisht që e pranuan këtë fakt dhe gjërat hynë në një rrjedhë normale. Ne nuk i kemi ndërprerë kurrë marrëdhëniet diplomatike. Ne në fakt kemi bashkëpunim normal në organizata ndërkombëtare. Ne kemi bashkëpunim ekonomik, turistët rusë vijnë në Malin e Zi dhe janë pjesë e rëndësishme e sezonit turistik çdo vit.

Gjithashtu ka edhe investime ruse në Mal të Zi, apo jo?

Gjithnjë e më pak. Disa investime në turizëm në fakt qëndruan edhe ato rezultuan shumë të suksesshme, por gjithashtu shumë prej këtyre investimeve u larguan. Pra marrëdhëniet janë shumë më të qeta, por Rusia ka interesa strategjike në këtë rajon dhe këto interesa janë shumë shpesh jo në të njëjtin drejtim me ato që Mali i zi dëshiron. Eshtë orientimi ynë euro atlantik dhe në këtë pjesë herë pas here kemi grindje. Mendoj se qasja ruse ndaj rajonit në fakt në thelb nuk ka ndryshuar nga viti 2016, por mjetet me të cilat përpiqen t’i realizojnë janë pak ndryshe.

E kuptoj. Zoti minister, si jane raportet e Malit të Zi me Shqipërinë?

Gjithmonë kanë qenë shumë të mira. Do të thoja se janë një shembull i vërtetë i një bashkëpunimi të mirë fqinjësor. Cfarëdo qeverie të jetë në pushtet në Tiranë, asnjeherë nuk kemi pasur probleme, përkundrazi. Ka qenë një bashkëpunim i frytshem dhe mjaft aktiv. Vetëm në mandatin e kësaj qeverie në Malin e Zi ne kemi pasur edhe sesione të përbashkëta mbledhjesh në vitin 2018. Pastaj kemi nënshkruar shumë marrëveshje sa i përket bashkëpunimit të përbashkët. Ne tashmë jemi aleatë në Nato dhe në këtë aspekt kemi bashkëpunim shumë të mirë gjithashtu. Mali i Zi është një mbështetës shumë entuziast i fqinjve tanë në aspiratat e tyre për integrim në BE. Kemi bërë më të mirën për të bindur partnerët tanë europianë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të hapin bisedimet për anëtarësim dhe ne jemi shumë të lumtur që kjo ndodhi.

Zoti Minister, le të flasim për shqiptarët e Malit të Zi. Sa i rëndësishëm është ky komunitet për Malin e Zi dhe në çfarë mase po respektohen të drejtat e tyre?

Ne kujdesemi shumë për të drejtat kombëtare të minoriteteve dhe minoriteti shqiptar i Malit të Zi është një nga më të spikaturit në Malin e Zi dhe ka qënë i tillë gjithmonë në historinë tonë. Kështu ligjet dhe kushtetuta e Malit të Zi njeh shumë mekanizma sesi këto të drejta duhen përmirësuar ose janë përmirësuar. Përshembull ne kemi institutin për veprim në proceset tona zgjedhore ku minoritetet kanë thuajse të garantuar vendet në parlamentin e Malit të Zi. Ata duhet t’i fitojnë këto vende në parlament, por nën kushte shumë të favorshme me një prag shumë të ulët. Kështu ne kemi gjithmonë përfaqësues minoritetesh, të paktën nga pesë deri në gjashtë në çdo legjislaturë. Gjithashtu kemi arsimim në gjuhën shqipe. Kemi edhe mësues të gjuhës shqipe. Gjithashtu ka media në gjuhën shqipe. Përkundrazi unë do të thoja se minoriteti shqiptar në Malin e Zi dhe lidershipi shqiptar në Malin e Zi kanë kontribuar shumë në momente të rëndësishme të historisë së viteve të fundit. Gjatë luftës, Mali i Zi nuk ishte pjesë e luftës, por ishte i rrethuar nga lufta në rajon dhe në referendumim për pavarësi. Lidershipi politik Shqiptar i Malit të Zi është sjellë gjithmonë në një mënyrë shumë të moderuar duke kontribuar në marrëdhënie me harmoni mes etnive në Malin e Zi. Vitin e kaluar më 1 shtator një nga komunat ku shqiptarët janë shumicë, ajo e Tuzit pranë Podgorices u bë një komunë e plotë në sistemin malazez të vetëqeverisjes lokale. Pra ka shumë shembuj të pozicioneve mjaft të mira të pakicës shqiptare në Mal të Zi, por të drejtat e pakicave mund të përmirësohen gjithmonë.

Pra më shpresë nuk do të dëgjojmë më për shqiptarë që arrestohen në Mal të Zi për mbajtjen e flamurit shqiptar, apo jo?

Jo jo, kjo është rregulluar përmes ligjeve tona dhe me aq sa mund të shikoj jo vetëm flamurin shqiptar, por shumë të tjerë përdoren në Malin e Zi shumë lirisht.

Zoti Minister, çfarë po bëhet për të rritur investimet në zonat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, për të ulur papunësinë në mënyrë që shqiptarët të mos largohen nga atdheu i tyre?

Ndonjëherë mund të dëgjojmë nga përfaqësues shqiptar se në një farë mënyrë nuk janë të përfaqësuar si duhet në politikat e investimeve në Mal të Zi, por unë vërtet besoj se është një përceptim sepse ai lloj problemi ekziston më shumë investime në çdo pjesë të Malit të Zi. Disa njerëz janë të kënaqur me investimet, disa të tjerë janë të pakënaqur. Unë mendoj se për investimet nuk ka favorizime bazuar në etni. Qeveria ka planifikuar shumë investime në zonat ku jetojnë shqiptarët. Për shembull në buxhetin e Malit të Zi për vitin 2020 janë planifikuar një varg i projektesh për komunat ku jetojnë shqiptarët, përshembull është rruga lokale në komunën e Tivarit, ajo rrugë që lidh komunën me kufirin shqiptar. më pas një investim në Rozhajë, investim në Guci apo rikonstruksion rruge po në Guci. Pra shumë prej këtyre planeve në fakt përballen me vonesa për shkak të pandemisë, por janë në orientimin e qeverisë. Gjithashtu një shkolle në Tuz është planifikuar për t’u ndërtuar apo ndërtimi i palestrave sportive në gjimnaze. Pra unë do të thoja se qeveria dhe investitorët po bëjnë atë që munden, por sigurisht që njerëzit kërkojnë më shumë.

Kuptoj. Zoti ministër, një pyetje të fundit. Ka pasur disa njoftime jo zyrtare për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Cili do të ishte qëndrimi i Malit të Zi për idenë e shkëmbimit të kufijve?

Siç e dini, Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet dhe ne kemi marrëdhënie diplomatike me Prishtinën. Jo vetëm një herë, por disa herë Mali i Zi ka qenë i gatshëm për të ndihmuar të dyja vendet në bisedimet e tyre, në negociatat që zhvillojnë si një vend që dëshiron më të mirën për të dy fqinjët. Ne vleresojmë shumë angazhimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e këtyre çështjeve sepse këto çështje janë një lloj barre në shpatullat e të gjithë rajonit. Rajoni nuk mund të ecë në mënyrë normale përpara nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Por Mali i Zi nuk e ka fshehur kurrë qëndrimin e vet se nuk jemi të lumtur me idene e shkëmbimit të territoreve. Kjo nuk do të thotë se ne e kundërshtojmë atë, ne nuk e kundërshtojmë atë. Nëse dy vende janë të kënaqura me shkëmbim territoresh edhe ne duhet të jemi të kënaqur, por nevojitet që ne të marrim disa garanci që do të jetë veçse një precedent sepse shkëmbimi i territoreve është një mjet shumë i rrezikshëm në ballkanin perëndimor. Idetë e shkëmbimit të territoreve kanë nxitur luftë në vitet ’90, tragjedi në Jugosllavi, tragjedi të njerëzve në këtë rajon dhe siç mund ta shihni nacionalizmi etnik ecën krah për krah me populizmin në rajonin tonë edhe ditët e sotme. Kështu që çdo ide për shkëmbim territoresh nëse ndodh ndonjëherë duhet të trajtohet me shumë kujdes. Ne tani jemi të inkurajuar me deklaratën e të dërguarit special të Bashkimit Europian, Zotit Lajçak që çdo zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës duhet të ndodhë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe stabilitetit në rajon. Shkëmbimi i territoreve me siguri nuk është më e mira për këto dy qëllime, por ëdo marrëveshje që mund të arrihet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe e konfirmuar nga komuniteti ndërkombëtar sigurisht që do të mbështetet nga Mali i Zi sepse ne jemi vendi që dëshiron më së shumti sabilitetin në rajon.

(BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb