Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse kryeministri Benjamin Netanyahu nuk përcakton një plan të pasluftës për Rripin e Gazës.

Z. Gantz vendosi si afat 8 qershorin për planin, për të arritur gjashtë “qëllime strategjike”, duke përfshirë fundin e sundimit të Hamasit në Gaza dhe krijimin e një administrate civile shumëkombëshe për territorin.

“Nëse e vendosni interesin kombëtar mbi atë personal, tek ne do të gjeni partnerë në luftë”, tha ai. “Por nëse zgjidhni rrugën e fanatikëve dhe e çoni të gjithë kombin në humnerë, ne do të detyrohemi të largohemi nga qeveria”, paralajmëroi ai.
Përçarja në rritje vjen ndërsa luftimet janë ndezur në të dy skajet e Rripit të Gazës, me forcat izraelite që operojnë në qytetin jugor të Rafah dhe qytetin verior të Jabalia, një nga kampet historike të refugjatëve të Gazës dhe një zonë që ushtria izraelite tha më parë se e kishte pastruar nga luftëtarët e Hamasit.

Gantz po fliste vetëm disa ditë pasi një tjetër anëtar i kabinetit të luftës, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, i kërkoi Netanyahut të deklaronte publikisht se Izraeli nuk kishte plane për të marrë përsipër sundimin civil dhe ushtarak në Gaza.

Z. Gallant tha se ai e kishte ngritur këtë çështje në mënyrë të përsëritur për muaj të tërë, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Ai dhe Gantz thonë se mbajtja e kontrollit ushtarak në Gaza do të rriste rreziqet e sigurisë së Izraelit, ndërsa të tjerët, duke përfshirë anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit qeverisës të Netanyahut në qeveri, besojnë se kontrolli i vazhdueshëm është i nevojshëm për të mposhtur Hamasin.

Në një fjalim televiziv të shtunën, Gantz i tha zotit Netanyahu se “populli i Izraelit po ju shikon”.
“Ju duhet të zgjidhni midis sionizmit dhe cinizmit, midis unitetit dhe fraksioneve, midis përgjegjësisë dhe paligjshmërisë, midis fitores dhe fatkeqësisë,” tha ai.

Gjithashtu ndër gjashtë synimet strategjike që ai parashtroi ishin kthimi i të gjithë pengjeve izraelitë dhe të huaj të mbajtur ende nga Hamasi në Gaza dhe kthimi i civilëve palestinezë të zhvendosur në Gazën veriore deri më 1 shtator.

Ai tha gjithashtu se Izraeli duhet të vazhdojë të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite si pjesë e një “procesi gjithëpërfshirës për të krijuar një aleancë me botën e lirë dhe Perëndimin kundër Iranit dhe aleatëve të tij”.

Duke iu përgjigjur fjalimit, Netanyahu tha se përmbushja e kërkesave të Gantz do të çonte në “fundin e luftës dhe një disfatë për Izraelin, braktisjen e shumicës së pengjeve, lënien e Hamasit të paprekur dhe krijimin e një shteti palestinez”.

Kabineti i luftës i Izraelit u krijua pasi Hamasi sulmoi komunitetet izraelite pranë Gazës më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë pengje.

Fushata ushtarake e Izraelit kundër Hamasit në Gaza ka vrarë 35,386 njerëz, thotë ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Shefi i shtabit të ushtrisë së vendit, Herzi Halevi, gjithashtu i ka kërkuar privatisht zotit Netanyahu nevojën për një strategji “ditë pas”, sipas raportimeve në mediat izraelite.

Kthimi i ushtrisë izraelite në pjesë të Gazës veriore, si Jabalia, të cilat më parë ishin deklaruar larg Hamasit, ka ngritur dyshime rreth strategjisë së qeverisë për eliminimin e grupit.

Z. Halevi thuhet se ka argumentuar se, në mungesë të një procesi diplomatik për të krijuar një organ qeverisës përveç Hamasit, ushtria do të detyrohet të nisë fushata të përsëritura për ta mbajtur grupin larg.

Z. Gantz propozoi një administratë amerikane, evropiane, arabe dhe palestineze që mund të menaxhojë çështjet civile në Gaza, ndërkohë që janë hedhur themelet për një qeveri alternative të ardhshme.

Në Jabalia, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) thanë se luftuan me grupet e armatosura palestineze. Mjekët palestinezë thanë se një nga sulmet izraelite kishte vrarë 15 njerëz.

Të shtunën vonë, Izraeli lëshoi gjithashtu urdhra të rinj evakuimi për pjesë të Gazës veriore, duke thënë se grupet e armatosura kishin lëshuar raketa drejt territorit të tij.

Javën e kaluar, Izraeli filloi operacionet në qytetin jugor të Rafahut – të cilit civilëve nga gjetkë në Gaza u ishte thënë më parë të evakuoheshin – duke thënë se duhej të hynte në qytet në mënyrë që të synonte bastionet e fundit të mbetura të Hamasit.
Të shtunën, ajo nisi sulme ajrore dhe sulme ndaj objektivave në lindje të qytetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: