Irani ka deklaruar se nuk do të zhvillojë bisedime të mëtejshme për paqe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës derisa Uashingtoni të ndryshojë atë që Teherani e cilëson si kërkesa “maksimaliste”. Deklarata është bërë nga zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Saeed Khatibzadeh.

Delegacionet e të dy vendeve zhvilluan një raund bisedimesh në Islamabad gjatë fundjavës së kaluar, por negociatat zgjatën më pak se një ditë dhe përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Më herët gjatë javës, Shtëpia e Bardhë kishte sinjalizuar mundësinë e një raundi të dytë negociatash në të njëjtin qytet, me Pakistani në rolin e ndërmjetësit kryesor mes palëve.

Megjithatë, Khatibzadeh theksoi se Irani synon fillimisht të finalizojë një “marrëveshje kornizë” përpara se të angazhohet në një takim tjetër.

“Nuk kemi arritur ende në pikën për të ecur përpara me një takim të vërtetë, sepse ka çështje për të cilat amerikanët nuk e kanë braktisur qëndrimin e tyre maksimalist”, deklaroi ai për Associated Press.

Sipas tij, megjithatë, komunikimi mes palëve nuk është ndërprerë plotësisht, pasi ditët e fundit ka pasur shkëmbime të shumta mesazhesh diplomatike.

Zyrtari iranian shtoi gjithashtu se Teherani refuzon kategorikisht idenë për t’i dorëzuar uraniumin e pasuruar SHBA-së, duke e cilësuar këtë propozim si “jo gati” dhe të papranueshëm në këtë fazë të negociatave.

Qëndrimet e kundërta të palëve rrezikojnë të thellojnë ngërçin diplomatik dhe të shtyjnë për më vonë çdo përparim drejt një marrëveshjeje për programin bërthamor iranian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb