Ministri i Financave Ervin Mete, në një deklaratë për mediat deklaroi se nga qershori 2024, do të nisë rritja e pagave në vend.

Mete theksoi se qeveria do të japë një mbështetje të madhe për arsimin. Më tej, ai vuri në dukje se qeveria po mendon që të lehtësojë nga taksat të rinjtë që punojnë deri 29 vjeç.

“Me rritjen e pagave që do bëhet në qershor, sektori i arrsimit merr mbështetjen më të madhe nga të gjithë sektorët e tjerë, me afro 110 mln euro që shkojnë vetëm për pagat në sistemin arsimor.

Rritja kumulative vetëm në 2 vitet e fundit shkon nga 35% deri në 60% për mësuesit. Sigurisht që kjo përkthehet në një edukim më cilësor që është investim për ne në kapitalin njerëzor të të rinjve dhe të qytetarëve të ardhshëm nesër të Shqipërisë.

Së dyti, një nga ato që po diskutojmë dhe tani jemi në një moment të mirë ekonomik, që ta përkthejmë edhe në rishpërndarje dhe mirëqenie të shtuar për qytetarët, është që të kemi dy lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët, që do të thotë, nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor, vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre, ashtu siç do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1, apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim”, u shpreh Mete.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: