Ministria e Financave prezantoi sot Strategjinë e tretë të Menaxhimit të Financave Publike, një dokument bazë i cili është punuar së bashku me ekspertët e Bashkimit Europian dhe orienton politikat sa i përket reformave në menaxhimin e financave publike deri në vitin 2030.

Të pranishëm në këtë event ishin Ministri i Financave, z. Ervin Mete, Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, z. Silvio Gonzato, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas, kryetari i komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi, përfaqësues të tjerë të MF dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave u shpreh se forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore edhe sa i përket rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik”, tha Ministri.

Ministri Mete theksoi faktin se në dekadën e fundit është shënuar progres i konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ndërsa vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.

Në këtë kuadër, sipas Ministrit, edhe Plani i Rritjes, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar kjo edhe me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre.

Duke iu referuar Strategjisë së re, Ministri Mete informoi se disa prej synimeve të saj janë:
• Përmirësimi i mëtejshëm i politikave fiskale dhe makroekonomike;
• Avancimi në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritja e monitorimit dhe raportimit;
• Rritja e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor;
• Forcimi i menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimi i mëtejshëm i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit;
• Avancimi i përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së;
• Integrimi i elementeve të ekonomisë së gjelbër, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: