Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin.

Koçi u shpreh se nuk e njeh mirë personalisht Ballukun, por theksoi se, nëse rezulton e vërtetë gjuha e përdorur prej saj ndaj vartësve, kjo përbën arsye të mjaftueshme për shkarkim nga detyra dhe përjashtim nga Partia Socialiste.

“Nuk e njoh shumë personalisht Ballukun, por nëse është e vërtetë ajo gjuhë e përdorur me vartësit, është arsye për ta shkarkuar dhe përjashtuar nga partia. Vetëm ajo lloj gjuhe, nëse është e vërtetë,” deklaroi Koçi.

Ai theksoi se komunikimi i tillë me vartësit është i papranueshëm dhe nuk i shkon për shtat një funksionari të lartë shtetëror. Sipas tij, mënyra e të folurit dhe sjellja institucionale janë pjesë e integritetit të një zyrtari publik.

“Me vartësit është e pamundur të flasësh kështu. E kam për gjuhën e përdorur në përgjithësi, që nuk më duket e denjë për një funksion shtetëror,” shtoi ish-deputeti socialist.

Duke folur për përgjegjësitë e një ministri, Koçi theksoi se drejtuesit e institucioneve që administrojnë buxhetin e shtetit nuk duhet të ndërhyjnë në asnjë rast në destinacionet e prokurimeve publike. Ai solli edhe përvojën e tij personale si ish-ministër.

“Ajo është ministre që administron buxhetin e shtetit. Ministri nuk duhet të ndërhyjë në asnjë rast për destinacionet e prokurimeve. Unë kam qenë vetë ministër dhe këtë e them me bindje,” u shpreh Koçi.

Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, Koçi nënvizoi se korrupsioni nuk mund të relativizohet, duke theksuar se ose është korrupsion, ose nuk është. Ai vlerësoi punën e SPAK dhe GJKKO-së, duke thënë se këto institucione po shënojnë një kapitull të ri në historinë e drejtësisë shqiptare.

“Sot ka më shumë korrupsion të zbuluar, ndërsa më parë korrupsioni ka qenë i mbuluar. SPAK dhe GJKKO po bëjnë histori,” përfundoi Koçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb