Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shkuar në Spitalin Rajonal të Vlorës për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të zjarrfikëse, të cilët u asfiksuan gjatë shuarjes së zjarrit në Dukat.

Vengu u shprehu mirënjohje tre efektivëve të FARSH për punën e palodhur dhe intensive në angazhimin për të shuar flakët.

Postimi i Vengut:

Nga Spitali Rajonal i Vlorës, ku vizitova tre zjarrfikës të Bashkisë Vlorë, të cilët, pas problemeve me frymëmarrjen, morën kujdesin e plotë mjekësor. Mirënjohje për Luanin, Dëfrimin, Andrean, të gjithë zjarrfikësit dhe efektivët e FARSH, si dhe çdo strukturë e individ të angazhuar në parandalimin dhe luftën kundër zjarreve, kudo në Shqipëri.Teksa vijojnë përpjekjet nga toka dhe ajri në katër vatra të gjera në Mat, Përmet, Devoll dhe Dukat, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po koordinon me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për të siguruar kapacitete shtesë nga ajri, në përgatitje për ditët tepër të nxehta që na presin.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb