Aktivisti dhe avokati Artan Manushaqe ishte i intervistuari i radhës nga gazetari Klevin Muka në News24. Sipas avokatit, OSBE e tha qartë se cenohet liria e medias, ndërsa shteti dhe pushteti e pengon drejtpërdrejt.
Aktivisti Manushaqe tha gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes dhe shoqëria shtetërore që ka bllokuar godinat janë koordinuar për të penguar hyrjen e gazetarëve të News24 të ushtrojnë detyrën e tyre, edhe pse ka një vendim gjykate që e thotë qartë se njëra prej godinave i takon kompanisë mediatike.
Artan Manushaqe: “Më vjen keq për kushtet ku ndodhemi, por me logjikë të ftohtë mendoj se News24 do të shkojë tek e drejta, sepse e drejta është shumë herë më e madhe se ligji dhe pushteti. Në Shqipëri janë cenuar parimet e së drejtës në tërësi. OSBE/ODIHR doli me deklaratë të qartë për zgjidhjen e pronësisë dhe kjo vlen edhe për median, ku u shfaq argumenti se i hiqet e drejta e shprehjes.
Këtu te News24, ministria dhe shoqëria Kayo kanë qenë të koordinuar që e kanë bllokuar. E gjitha kjo bëhet për ta zgjatur, në mënyrë që ju mos ushtroni të drejtën e informimit publik. Kaq të vështirë e kanë të lejojnë një rrugë për të hyrë në godinë ku gjykata u ka dhënë të drejtë gazetarëve të futen në godinë? E gjitha kjo bëhet me qëllim për të penguar, është e qartë, nuk duan që News24 të vijojë normalisht transmetimin.”
(BalkanWeb)
