Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë dhënë sot një përditësim të detajuar mbi situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut dhe borës gjatë 24–48 orëve të fundit.
Sipas deklaratës zyrtare, në shumicën e qarqeve situata paraqitet e qetë dhe e stabilizuar, ndërsa problematika të lokalizuara vijojnë të trajtohen në Dibër, Durrës, Lezhë, Kukës dhe në pak zona të Korçës.
Përmbledhja sipas qarqeve:
Dibër
Mungesë energjie elektrike në njësitë administrative Kala e Dodës, Sllovë, Zall-Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën. Ekipe të OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve. Intensiteti i reshjeve ka rënë ndjeshëm.
Durrës
Në Bashkinë Sukth janë përmbytur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, si dhe disa rrugë lokale mbeten të bllokuara. Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me ujë brenda. Në Bashkinë Krujë po punohet për hapjen e kanaleve kulluese në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë. Në lumin e Drojës po forcohet argjinatura për të parandaluar përmbytje të mëtejshme. Niveli i ujit ka filluar të bjerë.
Lezhë
Në Bashkinë Kurbin vijon ndërhyrja në Mamurras, ku rreth 50 banesa kanë prani uji, dhe në Milot ku raportohen 12 shtëpi të përmbytura. Në terren janë strukturat e bashkisë dhe mjetet e Ujësjellës-Kanalizimeve. Në Mirditë ka ndërprerje të energjisë në disa fshatra të njësisë Rubik. Lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave normale.
Kukës
Rënie inertesh në disa akse rrugore; kompanitë kontraktore po pastrojnë rrugët. Në zonat malore të thella vijon mungesa e energjisë, por ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Shkodër
Nuk raportohen problematika të mëdha. Vijojnë punimet parandaluese në kanalin e Gurit të Zi, te ura e Dajçit dhe në “Harkun e Berdicës” për të garantuar rrjedhjen normale të ujërave.
Qarqet e tjera Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat dhe Tiranë nuk paraqesin probleme nga reshjet. Në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në disa njësi administrative.
