Shqipëria, sipas raportit të “Open Budget Survey 2015”, rezulton ndër shtetet që ka pësuar rënie në transparencën e buxhetit të shtetit, e rankuar e parafundit në rajon, me një pikësim me 38 pikë nga 100 të mundshme. Ndërkohë, Ministria e Financave përgënjeshtron mes një deklarate për shtyp këtë raport, duke deklaruar se ky i fundit nuk pasqyron realitetin e transparencës në sistemin buxhetor në Shqipëri.

“Duke pasur parasysh nivelin e njëjtë të disponueshmërisë së dokumenteve të buxhetit edhe gjatë vlerësimit të mëparshëm, Ministria e Financave gjykon se duhej të ishte ruajtur, të paktën, i njëjti klasifikim në këtë renditje. Në këtë rezultat ka ndikuar edhe ndryshimi i metodologjisë, si dhe koha së cilës i referohet vlerësimi nuk është domethënëse, pasi vlerësimi është kryer në një vit elektoral siç është viti 2013, ku kalendari i përgatitjes së PBA përkonte me ndryshimin e dy qeverive.

Financat i kanë kushtuar një vëmendje shumë të madhe transparencës në buxhetim, duke e vendosur në një nga prioritet e saj, të materializuar në Strategjinë e Financave Publike 2014-2020. Ministria e Financave është duke punuar për hartimin dhe publikimin e një dokumenti, ‘Buxheti për Qytetarët’, në bashkëpunim me Shoqërinë e Hapur për Shqipërinë ‘Soros’, mbështetur mbi praktikat më të mira ndërkombëtare.

Dokumenti final do të jetë i gatshëm për t’iu shpërndarë publikut, menjëherë pas miratimit të projektbuxhetit 2016 nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në njoftim. Ministria e Financave shton se, në bashkëpunim me “SOROS” ka mundësuar që, prej këtij viti të kemi një seancë dëgjimore, me një spektër të gjerë organizatash joqeveritare të interesuara gjatë draftimit të projektligjit të buxhetit 2016, me qëllim përfitimin e pikëpamjeve të tyre për çështje të caktuara, që prekin Buxhetin 2016 dhe mundësisht reflektimin e tyre në draftin final, që do i dërgohet KM për shqyrtim dhe miratim.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: