Në Tiranë u mbajt forumi i Ligës së Arsimit të Lartë “Gjon Durrahium”, e para iniciativë në Shqipëri që synon rritjen e cilësisë dhe lobimin për çështjet që prekin arsimin e lartë.

Kryetari i bordit të Ligës së Universiteteve, rektori i Universitetit “Luarasi”, Prof. Dr. Ethem Ruka tha se arsimi i lartë në vend po përballet me shumë sfida. Ai deklaroi se qeveria shqiptare i dha jetë idesë për ndërkombëtarëzimin e Universiteteve, por shtoi se procesi për sjelljen në Shqipëri të studentëve të huaj është i gjatë.

“Përvoja e deritanishme tregon se dëshira për të hapur arsimin e lartë në Shqipëri drejt tregut të huaj është ende e kufizuar dhe nuk ka arritur akoma tek Ambasadat tona dhe konsujt tanë, Kjo na vendos përpara përgjegjësisë për të bërë takime me Ministrin e Jashtëm, për të bërë ndoshta një konferencë online në mënyrë që hallkat e këtij zinxhiri të bëhen funksionale. Një nga problemet është ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe përmes shtesës që duhet të bëjmë për studentët ndërkombëtar. Ky është një proces, nuk është zgjidhje magjike se u bë një pr.vendim qeverie dhe ne në shtator, do të presim, do të ketë vend për studentë të huaj, është proces i gjatë”- tha rektori Ethem Ruka.

Prof. Ruka u ndal edhe te sfidat që sjell ndryshimi i brezave dhe ndikimi i teknologjisë. Ai ngriti shqetësimin për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në mënyrën se si mësojnë studentët.

Në takimin e ligës së Universiteteve ishte e pranishme edhe ministrja e arsimit Ogerta Manastriliu e cila vlerësoi disa prej universiteteve private në vend për iniciativat e tyre në ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe ofrimin e diplomave të përbashkëta, siç është bashkëpunimi me një program të përbashkët studimit të Universitetit “Luarasi” me “London School of Economics”, një shkollë shumë prestigjoze globale.

“Jam patjetër shumë e kënaqur që Universitetet tona private gjithashtu po bëjnë hapa domethënës në programet e përbashkëta të studimit, në diploma të përbashkëta studimi, si Universiteti Luarasi duke hapur degë të studimit në bashkëpunim me “London School of Economics”- tha ministrja Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u ndal te zhvillimet pozitive në fushën e ndërkombëtarizimit, akreditimit dhe programeve të reja studimore, veçanërisht atyre dygjuhëshe dhe në gjuhë të huaj.

Ajo që sot ne po përjetojmë në ekosistemin tonë arsimor është një zhvillim me ritme të shpejta sa i përket ndërkombëtarizimit dhe profilizimit të universiteteve. Ne nuk duhet të jemi të kënaqur me sa kemi arritur, sepse teknologjia dhe dixhitalizimi po imponojnë nevojën për më shumë ambicie dhe standarde më të larta”- përfundoi Manastirliu.

Liga e Universiteteve ‘Gjon Durrahium’ krijoi komisione të cilat do të japin kontributet e tyre sipas fushave në mësimdhënien e studentëve.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb