NGA: Klajdi Bodlli
Nëse procesi i vettingut ecën në këto ritme, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, pikërisht këshillit të lartë të prokurorisë dhe atij gjyqësor mund të nisë që nga muaji shtator. Kështu ka deklaruar në një intervistë për televizionin ‘News24’, ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjonaj tha se 57 subjektet që janë kandidatë për institucionet e reja, janë në listën prioritare dhe për 15 prej tyre është dhënë një vendim.

Në lidhje me situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatën e lartë, ministrja e drejtësisë tha se çështja në gjykatën kushtetuese do të zgjidhet shumë shpejt, pasi presidenti dhe Kuvendi kanë hapur një proces për kandidatët.

Për të shpejtuar dhe mbështetur procesin e vettingut dhe institucioneve të reja të reformës në drejtësi, qeveria ka ofruar financime jo vetëm për pjesën e pagave por edhe për krijimin e institucioneve me kushtet më komode. Rasti më i fundit është ai i ambienteve të kolegjit të apelimit dhe komisionerëve publikë. Gjonaj tha se në 1 janar 2019 për ata që do kalojnë vettingun do të fillojë dhe rritja e pagave. Procesit të vettingut priten t’i nënshtrohen në total rreth 157 subjekte, 57 prej tyre janë në listën prioritare pasi konkurrojnë për institucionet e reja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: