Spitali Rajonal i Beratit po kalon një fazë rikonstruksioni të disa shërbimeve në bllokun operator me qëllim përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët. Paralelisht, stafi vazhdon të garantojë kujdes të pandërprerë në të gjitha shërbimet mjekësore dhe ekzaminimet labotarike duke përballuar me profesionalizëm fluksin e pacientëve.
Gjatë inspektimit në këtë spital, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala, u ndal edhe në laboratorin e ekzaminimeve ku vlerësoi garantimin pandërprerje të shërbimeve diagnostikuese.
Në bisedë me mjekët laborantë, ministrja Sala tha se rritja e rasteve, veçanërisht e sëmundjeve kronike, ka sjellë një volum më të madh analizash, që shpesh tejkalon kapacitetet e planifikuara. Megjithatë, ajo theksoi se ekzaminimet laboratorike ofrohen çdo ditë dhe pa ndërprerje, me prioritet për rastet urgjente.
Duke u ndalur te ekzaminimet laboratorike, ministrja Sala theksoi se po punohet për zgjerimin e gamës së analizave, në bashkëpunim me mjekë specialistë dhe ekspertë, mbi bazën e të dhënave të mbledhura. Ky zgjerim përfshin edhe treguesit molekularë, të cilët luajnë një rol kyç në zhvillimin dhe aplikimin e terapive inovative.
Investimet në infrastrukturë dhe forcimi i shërbimeve reflektojnë përkushtimin e Shqipërisë për një sistem shëndetësor europian, ku cilësia, aksesit dhe trajtimi i barabartë për çdo qytetar harmonizohen me standardet e BE-së.
