*Rama propozon referendum për mandatin e kryetarit dhe një ‘Mea Culpa’
*Rama: Kriminelët në Kuvend imagjinarë. Dënoj fishkëllimat

*Rama: Nuk e bëra dot mirë detyrën si kryetar i PS, se i duhesha vendit si kryeministër
*Rama: Ndjesë nëse dikujt i kam hyrë në hak këto 30 muaj
*Rama: Keqardhje për ata që mllefin e kanë më të madh se turpin dhe gjuhën më të gjatë se shikimin

TIRANË- Asamblesë së PS-së i ka mbyllur punimet rreth orës 18:00 të pasdites, me miratimin e projekt statutit të partisë. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe kërkesa e deputetit Ben Blushi dhe të disa deputetëve të tjetër socialistë që mbështesin idenë e votimit për postin e kryetarit. Asambleja u hap me një fjalim 1 orë e 15 minuta te kryetarit te PS, Edi Rama, i cili propozoi që anëtarësia e PS të votojë me Referendum nëse duhet apo jo qe ai të jetë kreu i PS. Ky propozim hapi debate të reja, ku i pari kundërshtoi Blushi, e me pas Arta Dade, Bashkim Fino etj.

RAMA: ASAMBLEJA MBYLLI MANDATIN ME NJË DEBAT TË BUKUR DEMOKRATIK

Në përfundim të punimeve të Asamblesë së PS-së, kryeministri Rama shkroi në rrjetet sociale: “Asambleja mbylli mandatin me nje debat te bukur demokratik qe meriton te behet publik ne kundershtim me statutin:-) Flm secilit ‪#‎KrenarPerPS”

RAMA: REFERENDUM PER MANDATIN TIM NE KRYE TE PS
Ne fjalen e tij para Asamblese, Kryeministri Edi Rama kërkoi sot referendum popullor për mandatin e tij në krye të Partisë Socialiste. Ai tha se duhet të jenë socialistët e gjithë Shqipërisë dhe jo vetëm asambleja ajo që vendos nëse do vijojë të jetë apo jo në krye të PS.

Kjo kërkesë e Ramës është edhe një përgjigje për Ben Blushin e një grup deputetësh që kërkojnë zgjedhje për kryetarin e PS.
“Duhet të jemi një parti e vetme me një vizion që ndan të njëjtin qëllim, që lufton mbi të njëjtin program dhe natyrisht që mundohet të adresojë të gjitha faktet jo si hapësirë debati ku bashkë me ne debaton edhe Saliu në mjedisin tonë. Kjo nuk shkon, kjo nuk lejohet, nuk e lejon demokracia. Që statuti nuk është respektuar kur u zgjodha kryetar i PS, këtë nuk mund ta diskutojmë më…Rregullimi i statutit sipas modelit laburist, mandati im nuk mund të diskutohet në kongres se është marrë me 1 anëtar një votë…S’mund të shkojmë në zgjedhje pse do një grup i vogël…S’mund të hyjmë në zgjedhje të kota dhe joserioze kur ata që kemi ne përballë duan të qeverisen. Do ta them të vërtetën deri në fund. Statuti është alibi, për rrëzimin e qeverisë ndryshimin e kursit të saj. Çështjen e mandatit tim le ta vendosin socialistët në të gjithë Shqipërinë. Me votë të lirë dhe të fshehtë të shkojmë në referendum”.

RAMA KERKON NDJESE PER GABIMET
Kryeministri Rama e nisi me një ndjesë publike fjalën e tij, për të gjitha gabimet, siç tha ai që mund të jenë bërë në këto 30 muaj qeverisje. “Mësimet dhe gabimet nuk janë mjaft për të mos gabuar më ndonjëherë. Kërkoj falje nëse ndokujt i kam hyrë në hak”,- tha Rama në nisje.

Kryeministri shtoi se duke mësuar nga gabimet e njëri-tjetrit në këto 30 muaj qeveria ia ka dalë të nisë reformat e thella, për të cilat ai u shpreh se nuk do ishte në gjendje t’i bënte askush tjetër. “Asnjë fuqi tjetër nuk mund të përmbushë misionin për të bërë shtet në këtë vend. Asnjë forcë tjetër nuk mund ta mbajë barrën e lidershipit, se e përpjeta e vështirë do bëhet më e përpjektë, ku rezistenca kundër reformave dhe dhe lumi i baltës do vijnë duke u ngritur”

“Në këta 30 muaj kemi treguar shumë për vlerën kombëtare të PS, kemi bërë shumë për Shqipërinë e sotme dhe për atë të gjeneratës tjetër. Kemi mësuar se mund të bëjmë edhe më mirë. Deri para zgjedhjeve të 2017-ës na duhet një PS e riformuar, e ripërtërirë fizikisht, e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale, PS aktive dhe ndërvepruese në të gjitha nivelet e organizimit”,- shtoi Rama.

Më tej kryeministri shtoi qe reformat do kundërshtohen nga parti, tribuna mediatike grupe interesash jo legjitime, si dhe “individë nga të gjitha rrugët e jetës që me armë e arsye personale do të duan të na zmbrapsin e dekurajojnë”. Ai shtoi se edhe më gjithë këto “Ne do vijojmë përpara me programin e reformave për të rilindur Shqipërinë”.

Rama tha se qeveria e ASHE e ka nisur rrugën drejt arritjes së qëllimeve. Sipas tij, kjo rrugë ka imponuar edhe një fillim të ri për PS-në, që mori udhë në Asamblenë e kaluar, ku vendosi të rihapeshim. Rama i ka kthyer përgjigje edhe deputetit Blushi, duke u shprehur se kriminelët në PS janë pjellë e SHQUP-it.

“Jemi partia që solli më shumë gra në qeveri, solli detyrimin për barazi gjinore në këshillat bashkiakë. Na akuzojnë se sollëm kriminelë në Parlament, por ne sollëm më shumë gra në Parlament. Këto akuza janë shpifje të pafundme ndaj çdo pune, çdo reforme dhe çdo vendimmarrjeje. Keqardhje për ata që mllefin e kanë më të madh se turpin dhe gjuhën më të gjatë se shikimin. Sa për kriminelët mbetet keqardhja që janë bërë vizion dhe zhargon e një politike mllefi. Problemi më i madh i këtij vendi nuk është dekriminalizimi, por kriminalizmi.

DEKRIMINALIZIMI, RAMA: E BEN SHUME MIRE SALIU PERBALTJEN, JO BRENDA NESH TE FABRIKOHET BALTA
“Nuk janë 19 kriminelët imagjinarë që krijoi banda e SHQUP-it por sulmet ndaj zhvillimeve të reja. Nuk kundërshtohet ideja, baltoset njeriu. Sa më e madhe përpjekja aq më i pamëshirshëm linçimi. Për të zgjidhur problemin e dekriminalizmit mjaftoi një ligj për të shpëtuar nga kriminalizimi do të duhet shumë më shumë kohë”, deklaroi kryeministri.
“Kemi shkruar rregulla për partinë në opozitë, dhe nuk kishim parashikuar që do vinte nevoja për këto ndryshime kur të vinim në qeveri. Më fishkëlleni mua, sa të doni, për njeriun e vetëm që paska frikë të votohet. Nuk mund të kemi mbi këtë parti, kurrsesi jo, fakte të ndrysme mbi qeverisjen, Shqipëria dhe ne e kemi me Saliun, derisa ta ketë peng PD, dmth deri sa Saliu të jetë gjallë. Në PS mund të ketë mendime të ndryshme, por s’mund të ketë fakte të ndryshme për rritjen e ekonomisë. Është fakt që ne e kemi kthyer në rrugën e rritjes ekonomike. Mund të kemi opinione të ndryshme për qasjen ndaj borxhit, por s’mund të kemi fakte të ndryshme. Sot Shqipëria ka larë borxhe më shumë se çka marë.

E bën shumë mirë Saliu përbaltjen, por nuk kemi luksin të pranojmë që nga brenda nesh ta fabrikojmë baltën, dhe për çfarë që të luftojmë qeverinë tonë, ku ndodhin? Në cilën parti demokratike. Sot numërojmë 170 mijë të punësuar më shumë se në 2013.”

Ndaj duke iu drejtuar të pranishmëve, Rama kërkoi që të vijojnë në rrugën e tyre, pavarësisht baltës.

“Motra dhe vëllezër le ta flemë mendjen njëherë e mirë, që s’ka shans të mos na baltosin po shkuam pas një ideje që sjell zhvillim të ri. Me mendjen e fjetur të mos merremi me ta por ta bëjmë karvanin të ecë më parë. Koha që jemi marrë me ta, kohë e humbur, ua kemi hequr njerëzve tanë. Më shumë kohë dhe më shumë përkushtim dhe durim për njerëzit, duke vazhduar e këmbëngulje rrugën tonë. Nuk ka test më provues se niveli i anëtarësimeve të reja. Kjo punë na mjafton për të parë sa të mëdha janë mundësitë tona që duhet t’i shfrytëzojmë gjerësisht”, tha Rama.

rama

RAMA: NUK E BËRA DOT DETYRËN SI KRYETAR I PS, I DUHESHA VENDIT SI KRYEMINISTËR
Rama, gjatë fjalës së tij para Asamblesë së Partisë Socialiste ka bërë ‘mea culpa’ teksa ka pranuar se gjatë kohë që PS ka qenë në pushtet ai nuk ka qenëi aftë të merret si duhet me punët e brendshme drejtuese të Partisë, gjë që sipas tij ka ndodhur për faktin se, kur PS erdhi në pushtet u gjend përballë një emergjence për të zgjidhur gjendjen e rëndë financiare të vendit.
“Kërkoj sinqerisht ndjesën e çdo pjesëtari të kësaj familje politike, dhe absolutisht të askujt tjetër, se askush tjetër nuk ka tagrin të më bëjë mua moralin e vlerave dhe të parimeve demokratike. Duan s’duan kundërshtarët tanë të lodhur apo përgojuesit tanë të shumtë pa këtë parti, demokracia në këtë vend do kishte avulluar, pavarësisht të gjithë atyre që nuk na duan, kjo parti ka merita që nuk i ka asnjë parti tjetër. Nuk kam qenë i aftë të gjej në rrugën pas zgjedhjeve vëmendjen, energjinë dhe kohën e nevojshme për ta bërë edhe këtë detyrë me të njëjtin angazhim dhe efektshmëri që kam bërë detyrën e kryeministrit. Unë nuk munda, nuk dita dhe nuk e bëra këtë detyrë siç duhej dhe do kisha dashur. Kur morëm në dorë shtetin u gjetëm në emergjencë për të zgjidhur gjendjen e rëndë financiare të vendit”, tha Rama.
Rama mandej pranon se mandati i tij si kryetar i PS duhet të ishte shqyrtuar që 3 muaj më parë, dhe sërish kërkoi ndjesë për këtë vonesë.
“2-3 muaj më parë duhet të ishte trajtuar cështja e mandatit tim, unë jam përgjëgjësi kryesor”.

FISHKELLIMAT SIPAS RAMES
Rama i vlerësoi të pasjellshme fishkëllimat që përndoqën Ben Blushin në takimin e Elbasanit.
“Fishkëllima të pasjellshme … Më mirë të mos ndodhte por asgjë nga këto nuk e bën më të vogël vlerën e punës së madhe që qeverisja po bën për vendin. Edhe kur fishkëllehemi padrejtësisht nuk i fshehim gabimet tona pas fishkëlluesve. Kjo quhet përgjegjshmëri ndaj interesave. Por asgjë nga këto nuk e bën me të vogël vlerën e shërbimit që partia i bën shoqërisë, vlerën e punës që qeverisja po bën për vendin dhe njerëzit, më të madhe vogëlsinë e dritës së gjykimit të kujtdo që s’na do e përpiqet të errësojë imazhin e familjes, e po kështu s’ka diskutim që se kam parë askund edhe kur fishkëllehemi brenda nesh padrejtësisht, nuk i fshehim të metat pas fishkëllyesve të radhës, e në këto vite që kam pasur privilegjin ta drejtoj PS e kam kuptuar edhe pse-në, quhet përgjegjshmëri, ndaj interesave e fateve të familjes së madhe me të cilën janë të lidhur pazgjidhshmërisht fatet e miliona njerëzve, dhe që e mbaron këtë familje nga cdo mundësi që papërgjegjshmëria të bëhet vijë sjellje e që një njeri të sundojë nga lart partinë duke shkelur vlerat, apo ta shantazhojë nga poshtë duke abuzuar me demokracinë si flamur që valëvitet në shkopin e interesave personale”.

Por ai shtoi se askush nuk ka tagrin ti flasë atij personalisht për parime dhe vlera morale të demokracisë.
“Ndjesën e cdo pjestari e pjestareje të familjes politike dhe absolutisht sepse askush tjetër nuk ka tagrin dhe as kushtet të më bëjë mua moralin e vlerave dhe parimeve demokratike”.

Blushi: Mes Shqipërisë dhe Partisë, zgjedh Shqipërinë
Nje pjese prej nesh vijme nga nje mbledhje e tensionuar e grupit parlamentar dhe duke patur ende shijen e hidhur te saj ne gjuhe, dua tju kerkoj te gjitheve te permbahemi dhe te degjojme njeri-tjetrin.
Sa me takon sigurisht qe do ta bej.

Nuk kam asnje interes qe njerezit te ikin nga kjo Asamble duke mallkuar diten qe jane bere antare te saj.
Partia duhet te jete nje bashkim vullnetar dhe nuk ka ketu asnjeri qe ka ardhur i detyruar dhe prandaj ska pse iken i detyruar dhe pa vullnet.
Ajo qe po them pra, eshte te bejme nje ushtrim: te mesohemi te bejme debat dhe te kundeshtojme normalisht. Ne te gjitha kohet ka njerez qe nuk merren vesh. Menyra e grindjes ne popujt e prapambetur quhet sherr, ne ata qe jane pak me te civilizuar quhet konflikt, ndersa tek ata qe jane shume me te civilizuar quhet debat.
Une jam per debat.
Sot nuk kam ardhur te grindem me asnjeri por jam i gatshem te bej debat me cdo njeri.
Per me shume lexoni ketu

RUÇI: GJITHÇKA DO TË ZBARDHET PAS DY ORËSH NË FAQEN ONLINE, NUK DUA TË KETË SHTREMBËRIM
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi fill pas mbylljes së punimeve në Asamblenë në selinë rozë, deklaroi se gjithçka çfarë është diskutuar deri më tani do të bëhet publike pas dy orësh në faqen zyrtare të kësaj partie. “Se cilat ishin vendimet e Asamblesë e diskutimet, apo sugjerimet, pas maksimumi 2 orësh. Çfarë është thënë pa as më të voglin censurë do e gjeni në faqen zyrtare të PS. Deri më sot keni 6 muaj që keni thënë gjithçka në PS. Si dhe sa në PS ka demokraci, apo çendurë. Shiheni.”, tha Ruçi.

AGO: EDI RAMA PRANOI GABIMIN, MUND TË BËHET REFERENDUMI
Petrit Ago, anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste deklaroi për ‘News24’ se është dakord me gjithçka që vendos Kongresi. “Asambleja, statuti e miratoi për ta çuar në miratimin përfundimtar. Edi Rama pranoi gabimin që nuk është bërë gara sot, ndaj mund të bëhet referendum. Unë jam dakord për gjithçka që vendos shumica e kongresit. Këtu nuk bëhet fjalë për referenudim pas kongresit të datës 19. Pastaj se çfarë do ndodhin në Kongres është punë tjetër.”, tha Ago.

HYSENAJ: REFERENDUMI ËSHTË INSTITUT SHUMË I RËNDËSISHËM
Kreu i Komisionit të Garancive Statutore, Alket Hysenaj deklaroi për ‘News24’ se ideja e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama për referendum, është si institut demokratik. “Është një deklaratë e cila nuk është përkthyer në vendimmarrje. E gjykoj referendumin si institutin më demokratike në vendimmarrje. Referendumi bëhet për çështje statutore dhe programore, ndaj nuk ka asgjë të keqe. Referendumi mund të thirret me iniciativë të Asamblesë Kombëtare.”, tha Hysenaj. Teksa u ndal te Komisioni i Garancisë Statutore Hysenaj theksoi se PS është i vetmi organizëm politik pasi ka gjykatën statutore. “KGS është shprehur qartë dhe saktë, duke treguar se PS është i vetmi organizëm politik pasi ka gjykatën statutore ndryshe nga çdo parti tjetër. Ne i jemi përgjigjur zyrtarisht se Kongresi është organi më i lartë vendimmarrës.”, tha Hysenaj.
BALLA: MES SHQIPËRISË DHE PARTISË SOCIALISTE, ZGJEDH PARTINË
Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu qëndrimin e tij pro kreut të të majtëve, Edi Rama. Ai theksoi se ‘mes Shqipërisë dhe Partisë Socialiste, zgjedh partinë’.

MAJKO: NUK KA UDHËKRYQ MIDIS SHQIPËRISË DHE PARTISË SOCIALISTE

“Nuk jam dakord që Shqipëria ka më rëndësi se sa partia. Nuk ka udhëkryq midis Shqipërisë dhe Partisë Socialiste!”. –deklaroi deputeti Pandeli Majko.

SERVET PËLLUMBI: PRIORITET ËSHTË LEGJISLATURA, JO MANDATI I KRYETARIT NË PARTI
Ish-kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi mendon se prioritet është legjislatura dhe jo mandati i kryetarit në Partinë Socialiste.

Sipas tij ka kuptim të ndërpritet mandati i kryetarit të PS teksa ai qeveris.

“Nëse mandati i kryetarit skadon në mes të legjislaturës, sidomos kur është kryeministër, s’ka kuptim që teksa ai qeveris, edhe për në, ne t’i dalim kundër.

Kjo nuk do kishte sens. Ai është votuar nga më shumë se anëtarët e partisë, është votuar nga populli.

Nga ana tjetër, edhe kjo histori që ne kërkojmë çdo gjë nga kryetari, që për çdo gabim e ka fajin kryetari, është gabim.

Madje unë them se kur kryetari është kryeminister, drejtimin e përditshëm të partisë duhet ta ketë sekretari i përgjithshëm”, tha Pëllumbi.

SHKJAU: REFERENDUMI LE TË BËHET, POR KRYETARI LEGJITIM ËSHTË EDI RAMA

Deputetja Esmeralda Shkjau deklaroi në një lidhje në “News24” se asambleja miratoi projektstatutin, që sipas saj i jep rëndësi përfaqësimit të të rinjve në kongres, dhe shanseve të barabarta për gratë.

“Ajo që mua më gëzoi dhe është për tu evidentuar është përfaqësimi i të rinjve dhe shanseve të barabarta që u jepen grave. Prioritet u jepet grave të rinjve dhe të gjithë anëtarëve të PS-së për një familje më të suksesshme. 20 % e të rinjve do të jenë brenda kongresit. Kjo asamble e tregoi më së miri mendjehapësinë që kemi për të gjitha çështjet. Kjo asamble i dha një kanalizim të gjitha çështjeve që ishin në ajër dhe të ndera.”- deklaroi Shkjau.

E pyetur për referendumin për të cilin foli kreu i PS-së, Shkjau tha: “Fitorja plebishitare e PS dhe kryeministri Rama në zgjedhje është gjëja më e rëndësishme që i kanë dhënë jo vetëm shqiptarët por edhe socialistët. Referendumi le të bëhet, por për mua kryetari legjitim është Edi Rama”.
BLUSHI MBËRRIN NË ASAMBLE

Pak minuta para nisjes së Asamblesë ka mbërritur tek Xibraku deputeti rebel, Ben Blushi. Ai ka biseduar me kolegët e tij në pritje të diskutimeve në mbledhje, ku kërkesat e tij do të jenë në qendër të debateve.

BEN BLUSHI ps

Një ditë më parë Komisioni i Garancive Statutore (KGS) ne PS pranoi vetëm pjesërisht kërkesën e deputetëve Ben Blushi, Arta Dade dhe Mimoza Hafizi për interpretim të statutit ekzistues të Partisë.

Sa i takon debatit për zgjedhjen e kryetarit të PS-së, KGS thekson se do të jetë Kongresi që do të përcaktojë nëse do duhet të ketë apo jo proces zgjedhje. Kongresi i Partisë Socialiste do të mbahet më 19 mars.

(m.k/ma.ar/d.b/ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: