Gazetari Almer Toska ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me Mirel Mërtirin, një prej emrave të lidhur me dosjen e inceneratorëve, duke pretenduar se ai është kthyer në pentito dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë austriake.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, Toska deklaroi se Mërtiri ka humbur një proces gjyqësor në Austri dhe më pas, sipas tij, ka vendosur të bashkëpunojë me autoritetet.

Gazetari pretendoi se Mërtiri u ka dorëzuar autoriteteve austriake materiale të ruajtura në një USB, përmbajtja e të cilave, sipas tij, mund të sjellë zhvillime të forta për çështjen e inceneratorëve dhe për Shqipërinë.

“Mirel Mërtiri është kthyer i penduar. Ka humbur gjyqin në Austri dhe ka bashkëpunuar. Nuk kam të dhëna ku ndodhet, por në USB-në që i ka dorëzuar drejtësisë austriake do të shohim gjëra të llahtarshme për Shqipërinë, për periudhën kur kishte të dhëna dhe ishte i përfshirë me inceneratorët”, deklaroi Toska.

Sipas tij, materialet që pretendon se janë vënë në dispozicion të autoriteteve austriake mund të kenë pasoja që shkojnë përtej vetë dosjes së inceneratorëve.

Toska e lidhi drejtpërdrejt këtë zhvillim me kryeministrin Edi Rama, duke paralajmëruar se faktet që, sipas tij, pritet të dalin në dritë mund të rëndojnë pozitën e kreut të qeverisë si në planin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë ligjor.

“Faktet që do të dalin do të rëndojnë pozitën e Ramës, ndërkombëtarisht dhe ligjërisht”, deklaroi gazetari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb