Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka mbajtur fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe punën e Jashtme, ku foli projektligjin për sigurinë ushqimore. Gjatë fjalës së tij, Blushi theksoi se siguria ushqimore në vend ndodhet në gjendje alarmi.
Më tej theksoi se bujqësia gjithashtu është në gjendje kome.
“Siguria ushqimore është prioritet. Nuk është luks por një drejtë themelore dhe një detyrim Kushtetues i shtetit shqiptar. Ky projektligj vjen në kushte kur siguria ushqimore në Republikën e Shqipërisë ndodhet në gjendje alarmi kombëtar, skandale të përsëritura, me produkte me pesticide dhe substanca të ndaluara rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Pasoja janë të shumëfishta, këto produkte të kontaminuara kanë goditur edhe eksporte shqiptare. Mendojmë që nëpërmjet këtij projektligji ndihmojmë konsumatorin, fshatin, fermerët shqiptarë. Vitet e fundit bujqësia është në koma. Qëllimi ynë kryesor është mbrojtja e interesit publik dhe qytetarit shqiptar. Dhe kjo duhet të jetë prioritet kombëtar i të gjithëve ne”
Fjala e plotë;
Shkurtimisht do të prezantoj projektligjin “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”
Një projektligj I propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë.
Një projektligj që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, një prioritet madhor jo vetëm i Partisë së Lirisë, por i të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Qëllimi i këtij projektligji lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, sepse ne besojmë që siguria ushqimore nuk është luks, por është një e drejtë themelore e cdo qytetari dhe një detyrim kushtetues i shtetit Shqiptar.
Ky projektligj vjen në kushte kur siguria ushqimore në Republikën e Shqipërisë, në vlerësimin tonë por jo vetëm, ndodhet në një gjendje alarmi Kombëtar.
Skandalet e përsëritura me produktet bujqësore të kontaminuara me pesticide dhe me substance të ndaluara, po rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve, ndërkohë që këto produkte, në të gjithë vendet e Bashkimit Europian ndalohen menjëherë, sic është raportuar gjerëzisht edhe në mediat shqiptare javët e fundit dhe ndërkohë, për fat të keq, në Shqipëri shiten lirshëm duke përfunduar në tryezat e cdo familje shqiptare dhe duke helmuar të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Për Partinë e Lirisë, kjo situatë është krejtësisht e papranueshme, sepse përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë, jo vetëm për shëndetin publik, por edhe për sigurinë Kombëtare.
Ne vlerësojmë se pasojat janë të shumëfishta, sepse përvec dëmit shëndetësor, këto produkte të kontaminuara kanë goditur në mënyrë të vecant dhe mjaft të rëndë edhe eksportet shqiptare, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e vendit, por edhe duke penalizuar fermerët e ndershëm që punojnë për standarde të sigurta, por që produktet e të cilëve nuk arrijnë dot të gjejnë tregjet ndërkombëtare.
Dhe në kushtet kur tregjet ndërkombëtare dhe në vecanti ato Europiane, po mbyllen cdo ditë për produktet shqiptare, pikërisht për shkak të mungesës së kontrollit dhe të abuzimeve me kimikatet duke kompromentuar rëndë të ardhmen ekonomike të bujqësisë, një sektor i cili është aktualisht jo vetëm i nënfinancuar, por edhe që për të tretin vit rradhazi, për shkak të ndërprerjes së fondeve IPARD ka penalizuar fermerët shqiptarë me mungesën e një ndihme prej të paktën 112 milion euro në vit, thjesht dhe vetëm për shkak të abuzimeve dhe mungesës së hetimit të këtij skandali nga drejtësia shqiptare, sepse sikundër është tanimë një fakt i njohur këto financime nuk përfunduan tëk fermerët, por tek inceneratorët dhe tek klientët e qeverisë.
Ndaj ne prezantojmë sot këtë projektligj, që sic e theksoj, lidhet thjesht dhe vetëm me sigurinë ushqimore që në vlerësimin tonë është në kushtet e një alarmi ndërkombëtar dhe vecanërisht në rrethana kur produktet shqiptare, sidomos ato bio dhe të markës “Made in Albania” janë goditur mjaft rëndë për shakak të një vendimi klientelist të qeverisë për ti hapur rrugën importuesve abuzivë, të cilët e kanë shndëruar Shqipërinë në një kazan mbetjesh për ushqime të kontaminuara dhe të skaduara, duke filluar nga mishi me salmonelë që vjen nga Brazili, te ushqimet e skaduara në shumicën e supermarketeve tona, deri te qumështi pluhur apo mielli i kontaminuar që ka përmbytur tregun dhe që importohet kryesisht nga Serbia dhe nga Rusia.
Ndaj mendojmë që nëpërmjet këtij projektligji në ndihmojmë në rradhë të parë konsumatorin shqiptar, por edhe fshatin shqiptar, fermerin shqiptar për shkak sepse bujqësia në vitet e fundit ndodhet në koma pikërisht për ato problematika të cilat unë rendita edhe me sipër.
Ndaj do kërkoja vullnetin tuaj për të miratuar këtë projektligj, i cili sic e theksova dhe në fillim të fjalës time, ka vetëm një qëllim, interesin publik, mbrojtja e shëndetit të cdo qytetari pavarësisht bindjeve të tij politike, sepse shëndeti publik është dhe duhet të jetë prioritet kombëtar i të gjithëve ne.
