TIRANË

Rektori i Universitetit Luarasi Et’hem Ruka ka dhënë një mesazh në konferencën “Globalizmi dhe Paqja” në Kryegjyshatën botërore të bektashinjve.

Ruka tha se të gjitha shkrimet e shenjta gati 2400 vite para lindjes së Jezu Krishtit kanë folur për paqen dhe se misioni i besimeve fetare është një i vetëm, ta duam paqen, ta ushqejmë çdo ditë.

“Ky aktivitet ka në zemër paqen. Paqja kundër dhunës, toleranca kundër intolerancës, e mira kundër së keqes. Historia e njerëzimit është historia e luftërave dhe e paqes. Luftërat, dhuna nuk bën gjë tjetër veçse merr jetë njerëzish.
Të gjitha shkrimet e shenjta gati 2400 vite para lindjes së Jezu Krishtit kanë folur për paqen. Të gjitha librat e shenjtë të feve të mëdha se besime fetare ka gati 10 mijë, por 75% janë myslimanë, kanë një gjë të përbashkët, dashurinë për njeriun, transmetimin e mesazhit të paqes.

I pari që kam lexuar dhe më ka pëlqyer ka qenë Shenjti Agustin i cili ka folur për paqen në qytetin e Zotit që është një paqe universale dhe për paqen në qytetin e tokës që është plot me mangësira.
Misioni i besimeve fetare është një i vetëm, ta duam paqen, ta ushqejmë çdo ditë. Secili prej nesh ka apo nuk ka funksion mund të kontribuojë për paqen, për harmoninë, për të mirën. Paqja nuk është thjesht mungesa e luftës. Qenia njerëzore ka nevojë të jetë në paqe me veten, me komunitetin, me kombin e vet dhe me të tjerët që mendojnë ndryshe”, tha Ruka.

Ai tha më tej se fryma e tolerancës është një pasuri që kanë shqiptarët.
“E vlerësoj shumë që sot në këtë vend të shenjtë transmetojmë këtë frymë, të tolerancës dhe të paqes. Është pasuri e madhe që kemi ne shqiptarët.
Kurrë nuk kemi pyetur se ai që kemi në krah është mysliman, ortodoks, apo një fe tjetër.
Kemi shembuj të jashtëzakonshëm. Aty nga vitet ‘98-‘99-2000 pas një sikleti të madh që hoqi kombi ynë, një prift katolik përçoi një ide fantastike me nxënësit që mblodhën gëzhojat e luftës dhe e kthyen në kambanë të paqes, e cila u bekua nga Papa. Një simbol i jashtëzakonshëm.
Kemi shembullin e klerikëve tanë që marshuan në Paris kundër vrasjes së gazetarëve të Charlie Hebdo.
Këtë aktivitet e kanë bërë shumë të bukur këta nxënës dhe profesorë të mrekullueshëm pas shpinës time, të Liceut Artistik, pasur kombëtare. Është fidanishtja që ka pjellë artistë të mrekullueshëm. Bashkërisht ne i përcjellim kombin tonë, por jo vetëm mesazhin e paqes, të tolerancës, të së mirës”, deklaroi rektori Ruka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb