Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thyer heshtjen pas njoftimit të marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Përmes një konference për shtyp, kreu i qeverisë izraelite lëshoi një mesazh të prerë sfidues, duke garantuar se Teherani nuk do të lejohet kurrë të ketë arsenal bërthamor. Përballë kritikave të ashpra të brendshme mbi mënyrën se si u mbyll konflikti, Netanyahu mbrojti me forcë rezultatet e fushatës ushtarake dhe e cilësoi këtë ndalim si misionin e jetës së tij.

“Me marrëveshje apo pa marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore as sot, as nesër. Sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi prerë ai, duke shtuar se rreziku u neutralizua falë operacionit më të madh ofensiv në historinë e vendit.

Gjatë bilancit të tij, Netanyahu theksoi se Izraeli eliminoi udhëheqjen e regjimit, shkatërroi objektet bërthamore dhe fabrikat e raketave, si dhe asgjësoi marinën dhe forcën ajrore të Iranit, duke i shkaktuar ekonomisë së tyre një dëm që përllogaritet deri në 1 trilion dollarë. Ai u shpreh se ky operacion e shpëtoi shtetin nga shkatërrimi, por paralajmëroi se përballja nuk ka mbaruar.

Kryeministri konfirmoi se ushtria do të mbetet në “zonat e thella të sigurisë” të krijuara në Gaza, Liban dhe Siri për sa kohë të jetë e nevojshme, ndërsa operacionet do të vijojnë edhe në Jemen e Bregun Perëndimor. Në mbyllje, Netanyahu njoftoi se ka vënë në dispozicion një buxhet gjigant shtesë prej 350 miliardë shekelë (rreth 88 miliardë euro) për mbrojtjen, që do të përdoret për të zhvilluar teknologji që tejkalojnë kufijtë e imagjinatës dhe për të siguruar pavarësinë absolute të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb