Presidentja e Këshillit të Ministrave, Giorgia Meloni, po zhvillon një mision të rëndësishëm në Oman, Japoni dhe Korenë e Jugut, ndërsa pasiguria gjeopolitike po rritet dhe krizat e sigurisë — nga Ukraina te Lindja e Mesme e deri në Indo-Paqësor — po ndërthuren gjithnjë e më shumë. Sot siguria nuk është vetëm ushtarake: po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme edhe ajo ekonomike, së bashku me qëndrueshmërinë energjetike, mbrojtja e rrugëve detare dhe konkurrueshmërinë industriale.

Ky turne diplomatik pasqyron një ambicie strategjike të ripërtërirë të Italisë, e cila synon të forcojë pozicionin e saj global si një urë natyrore lidhëse mes Europës, Gjirit dhe Indo-Paqësorit, përgjatë një harku vendimtar për ekuilibrat ndërkombëtarë dhe konkurrencën strategjike. Ajo që e bën këtë udhëtim veçanërisht domethënës është mbi të gjitha momenti kur zhvillohet. Ai ndodh ndërsa bota po përshpejton kalimin nga globalizimi drejt një fragmentimi strategjik, ku fuqia matet gjithnjë e më shumë përmes korridoreve ekonomike konkurruese dhe standardeve të ndryshme.

Në këtë kontekst të ri gjeo-ekonomik, fuqitë e mesme, përfshirë Italinë, nuk mund t’i lejojnë vetes paqartësi, por duhet të rrënjosen në rrjete të besueshme partnerësh dhe lidhjesh. Roma paraqitet si një nga nxitësit kryesorë në Bashkimit Europian në lidhje me lidhshmërinë strategjike, në veçanti atë të Korridorit Ekonomik Indi–Lindje e Mesme–Evropë (IMEC), dhe misioni i Melonit në Oman, Japoni dhe Korenë e Jugut përshtatet në mënyrë koherente me këtë trajektore. Në planin strategjik, ky udhëtim forcon qëndrimin e sigurisë dhe gjeopolitik të Italisë në teatro kyçe. Me paqëndrueshmërinë detare në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit që vazhdon të kërcënojë zinxhirët e furnizimit dhe flukset energjetike, Omani bëhet një bashkëbisedues kyç për sigurinë e rrugëve detare, duke pasur parasysh afërsinë e tij me nyje strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe diplomacinë e tij të ekuilibruar. Në Muskat, Meloni do të konsolidojë një partneritet të bazuar në stabilitetin detar, diversifikimin energjetik (në dritën e ambicieve omanite për hidrogjenin e gjelbër) dhe bashkëpunimin ekonomik, duke synuar zgjerimin e tregtisë dhe investimeve.

Shkëmbimet dypalëshe, në vlerën 709 milionë euro në vitin 2024, por mbeten ende të kufizuara krahasuar me marrëdhëniet e Italisë me partnerë të tjerë të Gjirit. Në të njëjtën kohë, Indo-Paqësori nuk është më “i largët” nga Europa. Një përshkallëzim në Ngushticën e Tajvanit ose tensione të reja në gadishullin Korean do të kishin efekte të menjëhershme edhe në kontinentin europian, nga siguria te zinxhirët e vlerës e deri te tregtia: kostot e transportit detar, furnizimi me gjysmëpërçues (semikondutorë) dhe stabiliteti i tregjeve. Jo më pak e rëndësishme, diplomacia e Melonit ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut lidhet drejtpërdrejt me konkurrueshmërinë industriale të Italisë dhe me një përafrim politik më të ngushtë rreth një rendi të bazuar në rregulla.

Tokio dhe Seuli, demokraci të avancuara, liderë teknologjikë dhe shtylla të sigurisë indo-paqësore, janë nyje vendimtare të sigurisë ekonomike: nga zinxhirët e furnizimit te sektorët që përcaktojnë fuqinë globale, si gjysmëpërçuesit (semikondutorët), bateritë, infrastruktura digjitale, industria e ndërtimit të anijeve dhe prodhimi i avancuar me vlerë të lartë. Nuk është një detaj i vogël: Koreja e Jugut dhe Japonia janë përkatësisht prodhuesi i dytë dhe i tretë më i madh në botë i gjysmëpërçuesve (pas Tajvanit), duke i bërë partnerë thelbësorë për ndërtimin e zinxhirëve teknologjikë rezistentë dhe të qëndrueshëm.

Statistikat shpjegojnë qartë se çfarë është në lojë. Në vitin 2024, Italia eksportonte rreth 6,6 miliardë euro në Japoni, duke gjeneruar një suficit tregtar prej 2,4 miliardë eurosh, dhe tërhoqi investime të rëndësishme në industrinë kombëtare. Drejt Koresë së Jugut, eksportet arritën në 6,5 miliardë euro, të mbështetura nga një integrim prodhues në rritje: 2,7 miliardë euro stok i investimeve të huaja direkte italiane në Korenë e Jugut dhe mbi 1 miliard euro investime koreane në Itali. Pra, marrëdhënie ekonomike janë në zgjerim, por ende me përmasa të kufizuara krahasuar me ato të Gjermanisë dhe Francës, dhe pikërisht për këtë arsye me hapësira të mëdha rritjeje. Së fundi, vizita e Melonit ka edhe vlerën e një mesazhi të fortë strategjik.

Ajo sinjalizon angazhimin e Italisë për parandalim (deterrencën), sigurinë dhe rrjetet ekomomike të sigurta, përmes aleancave më të qëndrueshme dhe koherence të plotë me linjën e BE-së dhe në kuadrin transatlantik. Misioni diplomatik i këtyre ditëve forcon qasjen shumëplanëshe të BE-së ndaj partneriteteve strategjike: në Oman, Roma kontribuon në rilançimin e angazhimit europian në Gjirin Persik, në vijën e bashkëpunimit BE–GÇ; ndërsa në Japoni dhe Korenë e Jugut forcon dy nga shtyllat më të avancuara të projeksionit indo-paqësor të BE-së. Në të njëjtën kohë, turneu diplomatik përputhet me prioritetet rajonale të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë tre vende qendrore, secili në mënyrën e vet, për strategjinë amerikane: Omani si partner stabiliteti dhe pikë kyçe qasjeje në Gjirin Persik; Japonia si aleat themelor dhe nyje e deterrencës indo-paqësore dhe Koreja e Jugut si shtyllë thelbësore e sigurisë së Gadishullit Korean, si dhe partner teknologjik-industrial.

Në tërësi, misioni i Melonit sinjalizon një politikë të jashtme italiane më proaktive dhe ambicioze, të orientuar drejt zgjerimit të partneriteteve strategjike, tërheqjes së investimeve dhe uljes së cenueshmërive ekonomike. Në një kontekst ndërkombëtar të paqëndrueshëm, diplomacia nuk është më thjesht përfaqësim: ajo është siguri, deterrencë dhe levë ekonomike. Pikërisht në këtë kornizë Meloni synon të krijoje një drejtim te ri, duke i dhënë Italisë një zë më të dallueshëm dhe një trajektore më të qartë në ekuilibrat e rinj gjeopolitikë.

*Autorja, eksperte e lartë e Atlantic Council dhe anëtare e bordit këshillimor të Decode39

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb