Analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja komentuan në emisionin “Pikat mbi i”, në Neës24, dorëheqjen e papritur të Gramoz Ruçit nga politika, vendim që e bëri publik në mbledhjen e Kongresit të PS.

Zheji tha se largimi i Ruçit është i pakuptueshëm, pasi nuk lidhet me moshën, shëndetin, gabime politike apo arsye familjare.

Ndërsa për Lubonjën largimi i Ruçit është kërkuar nga Edi Rama, për interesat e këtij të fundit, duke shtuar se kryeministrit i interesonte të çlirohej nga figura e Ruçit, që sipas tij, ja kujtojnë si pjesë të së shkuarës. Ndërkohë, të dy analistët përjashtuan mundësinë që largimi i Gramoz Ruçit lidhet me propozimin e emrit të tij nga Edi Rama për President.

Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Përtej mallëngjimit, që është i natyrshëm, në Kongres u fol për një familje, ku një bie, një ikën, një vjen. Ky Kongres ka shumë për të analizuar, për të kuptuar shqiptarët. Largimi i Ruçit është i pakuptueshëm, nuk lidhet me moshën, me shëndetin, me gabimet politike, me arsye familjare. Pra, arsyet që e shtyn Gramoz Rucin në dorëheqje nuk janë të njohura, koha do ta tregojë.

Lubonja: Unë prisja që Zheji të thoshte se ja kanë kërkuar amerikanët, pasi është në listën e tyre, pasi kështu ekziston një thashethemnajë. Por, unë e shoh me dyshim këtë, sepse mendoj që listat e amerikanëve i bën Edi Rama, jo amerikanët. Kështu që kjo lidhet me Edi Ramën. Lidhet me interesat e Edi Ramës. Sa ka peshë në PS Gramoz Ruçi si përfaqësues i atyre ish-komunistëve, enveristëve, dhe sa kanë marrë peshë më shumë krimi i organizuar, interesat, biznesmenët e rinj, që nuk kanë shumë lidhje me të kaluarën, për këtë ndoshta nuk i intereson më Edi Ramës. Ndoshta i intereson për t’u çliruar nga figura e Gramoz Ruçit, që ja kujtojnë si pjesë e së shkuarës, mbeturinës. Unë gjykoj që ja kanë sugjeruar të tjerët, dhe ky është Edi Rama.

Zheji: Ndoshta ka qenë një dëshirë e kryetarit të PS, për t’i thënë opinionit publik që ja ne vetëpastrohemi, që i pastrojmë vetë këta kërcunjtë e vjetër, i çojmë drejt dorëheqjes. Por, pavarësisht çfarë është thënë për Gramozin, ai ka qenë shumë më modern se shumë të rinj, që kanë ardhur nga hiqi dhe që hyjnë në parti për të fituar lekë. Pra, më interesant mbetet Ruçi, se ca të rinj që kanë ardhur për të zhvatur. Për këtë, mendoj se Ramës i ikën një aleat nga PS. Nuk jam dakord që Rama i bën listat e largimeve. Unë e kam parë Rucin si noterin mes Partisë së Punës dhe PS. Thashethemet thonë se Ruci është në listën e atyre që nuk e duan amerikanët, por nuk e di. Gramoz Ruci ka ruajtur rolin e referentit. Do të ishte një marrëzi e papranueshme për këtë mazhorancë që të propozonte për President Rucin.

Lubonja: E përjashtoj kandidaturën e Ruçit për President. Shqetësimi im është që sa më shumë kalon koha kjo parti në pushtet, aq më shumë shoh një fantazmë të së kaluarës, e cila është që liderit suprem i bëjnë hije dhe ata që i ka poshtë vetes. Ai do vetëm njerëz të shtrirë përtokë. Kjo të kujton kohën e Enver Hoxhës, ku sa më shumë ai rritej, aq më shumë meritat i kishte vetëm ai për gjithçka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb