NGA ENRIK MEHMETI

VLORE- Një prej vendeve që gjithmonë ka ngjallur kureshtje për ta parë e vizituar në Shqipëri është dhe ishulli i Sazanit. Për vite me radhë kjo ka qenë e ndalur. Ky ishull pas viteve ’90 u braktis nga oficerët dhe familjet e tyre që e popullonin duke mbetur kështu një zonë e largët, por që mbarte shumë kuriozitet për të parë atë çfarë gjendej në këtë ishull.

Si jetonin aty ushtarakët me familjet e tyre? Tashmë kjo kureshtje mund të shuhet, pasi ishulli është i hapur për t’u vizituar nga të gjithë.

Por si mund të shkojmë atje? Nisja bëhet nga zona e Radhimës në Vlorë. Dy anije turistike bëjnë transportimin drejt ishullit. Udhëtimi drejt Sazanit në njërën me njërën prej këtyre anijeve kushton 1600 lekë të reja. Por kjo nuk është e vetmja mundësi udhëtimi drejt ishullit. Ata që disponojnë mjete private ujore, mjafton të paguajnë tarifën hyrëse në kalatë dhe mund ta bëjnë këtë udhëtim privatisht. Udhëtimi me anije nga Radhima në Sazan zgjat rreth një orë.

Sapo mbërrin në ishull, ajo që bie në sy është porti. I vetmi në ishull, ku edhe pse jo i madh në sipërfaqe, aty janë ankoruar anije ushtarake të madhësive të ndryshme. Pas vitit 1997, ishulli u popullua nga baza ushtarake e Marinës Italiane me Guardia di Finanzen, si dhe Marinën ushtarake Shqiptare. Shenjat e bazës italiane janë të dukshme dhe sot ku shumë nga objektet pranë detit, u kthyen në funksionale nga ana e italianëve. Këta të fundit qëndruan aty për rreth 10 vjet për shkak të luftës kundër lëndëve narkotike dhe klandestinëve, ndërsa u larguan vetëm disa vite më parë.

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë e thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti ushtarak dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Këtu ndodhet dhe plazhi i vetëm, ai i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra.

Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë.
Duke u nisur në drejtim të rrugës së ishullit shohim që rruga është e shtuar është me beton të fortë gati në të gjithë sipërfaqen dhe ka arritur t;i rezistojë viteve. Objekti i parë që ndeshesh është shkolla 8-vjeçare e ishullit ku për çdo klasë kishte nga një mësues. Shenjat se shkolla ka pasur një organizim shumë të mirë, janë të dukshme ku mes disa bankave shkollore është dhe ajo e laboratorit të fizikës.

Pasi vazhdon rrugëtimin përgjatë ishullit godinat e Radhës që të shfaqen janë ato të banimit. Pallate të mirëfillta, me dhoma 1+1 në brendësi të tyre. Vendi, i cili ofron pamje në të dy anët nga deti bënte që familjet, jo vetëm të kishin një peizazh të bukur, por që banorët të kontrollonin dhe kush hynte dhe kush dilte nga ishulli.

Në këto banesa duket që koha është ndalur. Brenda tyre kanë ngelur ende objekte që kanë lidhje me kohën e komunizmit, të cilat kryesisht janë objekte shtëpiake dhe ndonjë lodër fëmijësh. Edhe pse një zonë ushtarake ,shumë gjëra në ishull janë vjedhur nga hajdutët e skrapit.

Jeta në ishull ka qenë mjaft aktive për rreth 3000 banorët, të cilët kanë pasur mundësinë për të shijuar dhe shfaqje apo parë filma në pallatin e Kulturës së Ishullit, në të cilin aktualisht ka ngelur vetëm skena.Tek-tuk edhe në këtë vend kanë ngelur ende gjurmë të sistemit të kaluar ndërkohë që ka gjurmë nga stërvitjet ushtarake të viteve të fundit, të kryera në ishull.

Shumë vizitorë të rinj e të vjetër janë munduar që të lënë shenjën e tyre në ishull me emra apo mbishkrime si në pjesë të brendshme të godinave, po ashtu dhe në pjesë të jashtme.

Pranë pallatit të Kulturës ka qenë e vendosur dhe mensa, që shërbente dhe si bar restorant. Në brendësi të saj, në ambientin tepër të bollshëm organizoheshin herë pas here dhe mbrëmje.

Një prej gjërave më interesante në ishull është dhe një prej dhomave të restorantit, e cila ka në brendësinë e saj me qindra shishe qelqi të llojeve të ndryshme të pijeve. Aty gjen që nga Ponçi i portokallit dhe deri te pije të tjera të huaja që në Shqipëri, nga pjesa më e madhe vetëm mund të ëndërroheshin.

Ndoshta kjo ishte një mënyrë për të hequr mërzitjen e qëndrimit në izolim për banorët, por sipas dëshmive, përdorimi në masë i alkoolit nisi kur sovjetikët qëndruan disa kohë në ishull kur Shqipëria kishte marrëdhënie të mira me Rusinë.

Një prej atyre që mundësoi hapjen e ishullit është kreu i Agjencisë së Bregdetit, Auron Tare. Ai tregon se interesi për ishullin është tepër i madh dhe pritet që të ketë një sukses në vitet në vijim.
Ishulli misterioz i Sazanit, shquhet dhe për tunelet e shumta të tij, ku shumë prej tyre nuk dihet ende se ku fillojnë e ku mbarojnë. Në rastin e një luftë banorët e ishullit ishin të trajnuar që jo vetëm të fshiheshin në këto tunele, por edhe të siguronin armatimet prej tyre. Në vitin 1997 prej këtyre tuneleve flitet se janë marrë shumë armë dhe municione të reja nga ana e atyre që e vizituan pas nisjes së revolucionit. Janë pikërisht këto tunele, që janë objekt kurioziteti për shumë turistë shqiptarë dhe të huaj.

Në ishull për disa vite ka kaluar fëmijërinë dhe shkrimtarja e njohur italiane Rina Durante, e cila i ka dedikuar dhe një libër i titulluar “Ishulli i Rinës”.

Një vizitë në ishullin e Sazanit, do të thotë një rikthim në kohë. Ky ishull ka shërbyer si bazë ushtarake për shumë vite. Shumë familje ushtarakësh jetuan aty për një kohë të gjatë duke lënë gjurmët e tyre. Gjurmë të cilat duket sikur kanë ndalur në kohë.

(b.e/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb