Organizimi i takimeve përkujtimore kushtuar personave apo ngjarjeve të ndryshme paraqet moment nderimi dhe vlerësimi si kudo në botën e qytetëruar. Përkujtimi për Raif-Rafo Goranën, pas 76 viteve, e vlerësojmë si organizim i qëlluar ndonëse i vonuar, duke dëshmuar se ai ishte në vetëdijen jo vetëm të familjarëve dhe të afërmve të tij, duke iu rikthyer Ulqinit, vendlindjes së tij të dashur! Andaj, me këtë rast  nisma  për të paraqitur  të dhëna qofshin ato edhe modeste për jetën dhe veprimtarinë e tij, si dhe përfundimin tragjik, përkatësisht eliminimin e tij pa gjyq nga pushteti komunist i kohës, është në favor të shpalosjes së vërtetës së munguar dekada më radhë, në sajë të  rrethanave shoqërore e politike në Ulqin.

Në sajë të dhënave të cilat disponojmë del qartë së Rafo Gorana ishte personalitet me dinjitet kombëtar i veçantë për kohën e tij në Ulqin, si për ka profesioni por edhe qëndrimi i tij shoqëror dhe kombëtar. Ishin pikërisht vlerat e tija personale e familjare, që e bëjnë të dallohej nga të tjerët, andaj si i tillë nuk ishte i pranueshëm dhe i përshtatshëm për pushtetin e komunistëve, të cilët e morën pushtetin në Ulqin, nga nëntori i vitit 1944. Ishte pikërisht pushtetit i ri ideologjik, që nuk zgjodhi mjete për të eliminuar personat dhe familjet me autoritet në Ulqin. Kemi të bëjmë me kohën e manipulimit ideologjik, sepse sipas demagogjisë së tyre, çdo gjë fillonte me ta, duke eliminuar traditën shoqërore në Ulqin dhe më gjerë.

Piloti i parë shqiptar

Raif Gorana, lindin në Ulqin në vitin 1916. Rrjedh nga një familje qytetare me tradita tregtare. Babai i tij, Latif Gorana, kishte raporte pune tregtare, si në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Bosnjë. Raifi shkollën e mesme e ka përfunduar në Rajllovac, afër Sarajevës. Ishte kjo shkollë profesionale e njohur në përgatitje të pilotëve.

Aty ai u pajis më njohuritë profesionale teknike dhe të pilotimit, duke qenë i pari si i tillë në qytetin e Ulqinit. Me të filluar Lufta e Dytë Botërore ai i është bashkangjitur lëvizjes kundër okupatorit. Në njësitet partizane ka pasur autoritet të jashtëzakonshëm. Madje në këto formacione ka qenë edhe në nivelin e komandantit.

Person me autoritet në Ulqin

Raifi dallohej nga bashkëmoshatarët e tij në Ulqin, edhe për nga pamja antropologjike, por edhe nga veshja e uniformës së pilotit, duke qenë pasioni dhe imazhi i tij profesional. Por, si i tillë nuk ishte i përshtatshëm për pushtetin e ri komunist i cili u vendos, në Ulqin, me 26 nëntor 1944. Për vrasjen e tij ekzistojnë variante të ndryshme. Në lidhje me këtë çështje edhe pse ka pasur dëshmitar ne Ulqin, është heshtur vite më radhë, duke mos dhënë informacione.

Ishte koha e heshtjes dhe e frikës, si dhe pasojave nga pushteti i kohës. Ai në shtëpi herët në mëngjes, është marrë nga disa persona gjoja për një takim në Cetinë, për të festuar fitoren ndaj okupatorëve. Sipas të dhënës së bashkëshortes së tij, në momentin që do të largohej nga shtëpia, tre herë e përqafon djalin e vogël, Agimin, i cili ishte dyjavësh, duke mos e parë më. Ishte ky momenti i fundit i ndarjes nga familja, sepse kriminelet, në vend që niseshin në drejtim të Cetinës, shkuan në drejtim të Limanit në Ulqin.

Ai u pushkatua në mëngjesin e datës 27 nëntor 1944, mbi Lima tek Çinari, duke shkuar për Valdanos. Aty është vra vetë i katërti: Hodo beg Bushati dhe i biri i tij Ahmeti, i cili ishte noter i Gjykatës së Ulqinit dhe Radovan Aleksiqi. Ata u pushkatuan, dhe nuk i njoftuan fare familjet e tyre, për t’i marrur e varrosur, e sot e asaj dite, nuk dihet gjë për varrin, apo varret e tyre, duke mbetur enigmë deri në ditët tona(!.?).

Në lidhje me këtë çështje nga dita e nesërme, bashkëshortja e Rafos, zonja Halimja, ka shkuar në policinë e Ulqinit, për të kërkuar bashkëshortin e saj, për të marrë ndonjë informacion gjatë tri javëve, por jo që nuk mori informacion, por ata i janë kërcënuar se; “nëse paraqitesh përsëri këtu, do të vrasim ty dhe djalin tuaj”. Nga një situatë e tillë tragjike, ajo nuk kishte pse të qëndronte me tutje në Ulqin, por mori djalin e vogël Agimin dhe shkoj në Shkodër, të gjinia e saj.

Ishte kjo një ndarje tragjike familjare, e imponuar  nga pushteti i ri  i vendosur në Ulqin, i cili për 24 orë i ka pasur duart e lira, për të arrestuar dhe pushkatuar kënd kanë llogaritur si armiq, apo pengesë kundër pushtetit të tyre. Duhet thënë me ketë rast, se me vendosjen e pushtetit të ri në Ulqin, pushteti faktik ishte në duar të OZN-ës / UDB-ës, ndërsa partia LKJ (Lidhja Komuniste e Jugosllavisë), ishte fasadë formale, andaj edhe pasojat janë të njohura.

Pse u eliminua Rafo Gorana nga komunistët?

Por, me të drejt bëhet pyetja; cili ishte shkaku që të eliminohej Rafo Gorana, nga komunistët, i cili ishte pjesëtar i njësive partizane, pra shok, dhe bashkëpunëtor i tyre në luftë kundër okupatorëve. Në lidhje me këtë çështje ka dilema të ndryshme, që si të tilla mbesin ende pa përgjigje definitive, sepse nuk ekziston një raport gjyqësor.

Por, në sajë të një informacioni që disponoj, pakënaqësia e Rafos, u dëshmu më rastin e hyrjes së njësiteve partizane në Ulqin, në mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 1944, dhe organizimit të ceremonisë së pritjes së tyre në Ulqin.

Kërkoj të vendosej edhe Flamuri Shqiptar

Në Mëhallë të Re, ku është mullini i vojit apo më mirë të themi të Mullini i Met Muharremit, është organizuar një pritje nga qytetarët për brigadën partizane. Rafoja pasi kishte autoritet në popull, është pritur me brohoritje. Në atë takim ka folur edhe Rafoja dhe janë shpalosur flamuri jugosllav, partiak dhe ai malazez. Por, nga një pamje e tillë i pakënaqur, Rafoja ka thanë se; duhet të jetë edhe flamuri shqiptar.

Pasi në pjesëtarët e partizanëve kanë qenë të pranishëm edhe nga Shqipëria, sepse kishin pikëpamje të njëjta ideologjike, pikërisht një ushtar i cili ishte nga Bregu i Matit, e ka pasur më vehte flamurin shqiptar dhe e ka nxjerr nga çanta dhe ia ka dhënë Rafos, ku pasi i është vendosur shtiza, edhe ai është vendosur për krah flamujve të tjerë.

Dhe nuk ka dilemë së ky ishte shkaku  për eliminimin e tij fizik, por nuk  duhet përjashtuar autoritetin e tij në popull, qëndrimin në njësitin partizan, duke qenë edhe komandant, si dhe parimet e tija shoqërore për barazi praktike nacionale të shqiptarëve, në rrethana të reja politike. Më një fjalë ishte personaliteti dhe karakteri i tij, që ishte pengesë për pushtetarët e rinj, për të realizuar qëllimet e tyre  djallëzore kundër shqiptarëve, në Ulqin dhe më gjerë.

Ishte i veçantë në kohën e tij 

Sipas dëshmive Rafoja, ka qenë trup madh, i pashëm dhe i veshur gjithmonë pedant. Ai mbante vazhdimisht me xhelozi uniformën e pilotit (çizmet e lëkurës, një pallto të madhe të lëkurës dhe helmetën e lëkurës në kokë. Po ashtu ka pasur edhe një orë dore të markës “Bullova”, që e kanë pasur vetëm pilotët. Kur e kanë vra, ia kanë marrë xhaketën dhe mantilin e lëkurës e, po ashtu edhe orën e dorës.

Rafoja ka qenë i martuar me Halimën nga Shkodra. Kur e kanë vra Rafon, ka lanë vetëm një djalë Agimin, më moshë afër dy javësh. Më pas ajo është vendosur në Shkodër të familja e saj, së bashku me djalin Agimin dhe është martuar me një person tjetër. Agim Gorana (1944-2010) ka qenë prof. i fizikës, ka jetuar dhe punuar në Shkodër, ndërsa pas vitit 1996, është vendosur në Tiranë.

Me këtë rast dua të ceki se në Shkodër ka jetuar edhe një vëlla i Rafos, Hyseni i njohur si Ceni. Ai ka vdekur në Shkodër në vitin 1947, ndërsa e kanë varrosur në Ulqin. Vdekja e tij atëher ka qenë e dyshimtë (pra jo e natyrshme). Ky ka qenë i martuar me një shkodrane. Ka lanë dy djem dhe një vajzë.

Rafo Gorana me bashkëshorten  Halimën

Arrestimet në Ulqin

Me të vendosur të pushtetit komunist në Ulqin, filloj ndjekja e figurave kombëtare, si Cafo Begu-Alibegaj dhe bashkëmendimtarët e tij. Kështu disa ditë më pas arrestohen persona të tjerë, si: Hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, Zydi Fici dhe Mustafë Canka, duke i trajtuar si armiq të pushtetit popullor, edhe pse ata ishin persona me dinjitet familjar dhe kombëtar. Por, pushteti ndaj tyre përgatiti një skenar tjetër, sepse pasi i kanë arrestuar ata, planifikojnë për t’i çuar gjoja për gjykim në Tivar, por të katërtit me duar të lidhura, i pushkatojnë pa gjyq të kthesa e Braticës që shkon për Valdanos, me 15.12.1944. Të gjithë i varrosën në një varr, ku janë edhe sot, por pa ndonjë shenjë apo varr të ndertuar.

Veprimet e tilla të komunistëve, dëshmuan se ata kishin hartuar me kohë lista për të eliminuar figurat e njohura me autoritet në Ulqin, që i trajtonin si armiq të pushtetit, përkatësisht si pengesë në realizimin e vendosjes së pushtetit,  sipas strategjisë së tyre politike. Ishte ky veprim patologjik kundër shqiptarëve, që u dëshmu me veprimet kriminale, ku për 18 ditë i pushkatuan 8 qytetarë të Ulqinit, pa procedur gjyqësore.

Duhet thënë me këtë rast se tentimi nga familjarët për zbardhën e krimeve të pushtetit ndaj pjesëtarëve të familjes në kohën e monizmit (1944-1990) ishte i ndaluar dhe me pasoja, një qëndrim i tillë pas rënies së sistemit socialist, nga viti 1990 e më pas, nuk mund të arsyetohet më asgjë (!?).

Sigurimi i Shqipërisë, bashkëpunon me jugosllavët

Se burgosjet në Ulqin, kanë vazhduar, dëshmon e dhëna së ndonëse ishte në Shqipëri, Hodo Alibegu, atje arrestohet nga Sigurimi i Shqipërisë dhe iu dorëzohet pushtetit jugosllav në Ulqin. Atij më vonë iu organizu një proces gjyqësor, ku u dënua me 20 vite burg. Po aq u dënua edhe Selë Lamoja.

Por, më pas gjykata e rishqyrtoj vendimin e tillë, ku Hodo Alibegun e denon me pushkatim, i cili u realizu me 17 mars 1948. Një e dhënë e tillë dëshmon se pushteti komunist në Shqipëri, ishte i verbuar nga ideologjia komuniste dhe ka bashkëpunuar me pushtetin e Jugosllavisë, kundër interesave kombëtare, që ishte me pasoja për shqiptarët për rreth pesë dekada.

Ballafaqimi më të shkuarën obligim qytetar

Në rrethana të reja shoqërore, pas dështimit të ideologjisë komuniste, nga viti 1990, është pritur me të drejtë që të punohet në ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve e individëve të ndryshëm të cilët u eliminuan nga pushteti i ri, pas Luftës së Dytë Botërore. Por, ndonëse kanë kaluar tridhjetë vite, ngjarjet nga viti 1944-‘45’ kur është instaluar pushteti komunist në Ulqin, ende nuk janë hulumtuar me kompetencë profesionale nga studiues të fushave të ndryshme. Nëse në kohën e sistemit monist trajtimi i temave të tilla ishte me pasoja, pas rënies së sistemit monist, qëndrimi indiferent ndaj kësaj kohe, nuk mund të arsyetohet më asgjë.

Në lidhje me këtë periudhë kohore, në mjediset e ndryshme në vendet e ish-kampit socialist, janë hapur temat e tilla, duke prezantuar krimet e komunistëve me dokumente të dëshmuara. Por, në këtë aspekt përjashtim bën Mali i Zi, sepse këtu ende hezitojnë të ballafaqohen më të kaluarën, që është në kundërshtim më drejtat qytetare e nacionale të qytetarëve, që janë obligime sipas standardëve demokratike europiane.

Dy rezoluta nga Këshilli i Evropës

Edhe pse në Këshillin e Evropës janë miratuar dy rezoluta kundër krimeve të komunizmit, e para ajo më nr.1096 nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe e dyta nr.1481nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, asnjëra prej tyre nuk është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi. Një veprim i tillë refuzues, dëshmon mos gatishmërinë e pushtetit aktual, për t’u ballafaquar më të shkuarën komuniste, sikur kanë vepruar vendet tjera në Europën Juglindore.

Nuk ka dilemë se një qëndrim i tillë politik, dëshmon në mënyrë transparente se këtu ka mbetur e ngulitur në psikologjinë e tyre sistemi monist, i cili për qëllimet ideologjike dhe për pushtet, ka eliminuar individë të ndryshëm, ku as shqiptarët në Ulqin dhe më gjerë në Mal të Zi, nuk ishin përjashtim.

Rishkrimi i historisë obligim qytetar 

Andaj është obligim moral e profesional nga përfaqësuesit tanë politik, si përfaqësues në institucionet qeveritare në Mal të Zi, të ri-aktualizojnë çështjen e zbardhjes së vërtetës së eliminimit të qytetarëve tanë pa gjyqe, nga pushteti komunist i kohës. Një veprim i tillë do të eliminonte dilemat dhe spekulimet për temat tabu, të cilat kanë qenë të pranishme për rreth pesë dekada.

Ndërsa qëndrimi refuzues pas dështimit të komunizmit, dëshmon dobësi personale e familjare por edhe si qytetarë që nuk arsyetohet më asgjë. Në këtë aspekt, ne duhet të marrim shembuj nga vendet e tjera në regjion, të cilët individët me dosje kriminale i kanë shpallur heronj, ndërsa ne vazhdojmë të heshtim për viktimat e pafajshme të komunizmit, të cilët ende nuk kanë varre apo, ndonjë pllakë përkujtimore.

Edhe pse të vonuar siç është ky takim përkujtimor për Raif-Rafo Goranën, është koha për t’u thënë e vërteta ndaj viktimave, familjarëve dhe brezave të tashëm dhe të ardhshëm, andaj duhet angazhim politikë, intelektual dhe guxim qytetar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Duke marrë parasysh së këtë takim përkujtimor e vlerësoj si homazh për të gjithë viktimat, uroj dhe shpresoj me misionin e ndriçimit të personaliteteve dhe ngjarjeve nga Lufta e Dytë Botërore, e më pas pa paragjykime ideologjike, duke shpalosur të vërtetën, përkatësisht rishkrimit të historisë si obligim profesional, qytetar e kombëtar si kudo në botën demokratike. /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: