Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Benjamin Netanyahu duhet të jetë “përgjegjës për Libanin” dhe ta lejojë Sirinë “të merret me Hezbollahun” në komentet për gazetarët në samitin e G7-ës.

Komentet e tij erdhën gjatë një takimi dypalësh me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, një ndërmjetës në bisedimet SHBA-Iran që synojnë arritjen e një marrëveshjeje kornizë për t’i dhënë fund luftës.

Trump tha se Hezbollahu mbetet një problem për rajonin, por sugjeroi që përgjigja e Izraelit kishte shkuar shumë larg dhe mund të rrezikonte stabilitetin në Lindjen e Mesme.

Të dielën, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) goditën një ndërtesë në kryeqytetin libanez, Bejrut, duke plagosur më shumë se një duzinë personash dhe duke vrarë tre. Izraeli tha se operacioni kishte në shënjestër një qendër komande që i përkiste Hezbollahut.

Sulmi ndodhi ndërsa SHBA-të përgatiteshin të shpallnin një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës me Teheranin. Trump pranoi se Hezbollahu është një problem, por vuri në dyshim metodat e Netanyahut.

“Izraeli ka luftuar kundër Hezbollahut për një kohë shumë të gjatë dhe shumë njerëz po vriten”, u tha ai gazetarëve në Évian të Francës, ku po zhvillohet samiti i G7-ës.

“Nuk ke pse të shembësh një pallat të tërë apartamentesh sa herë që kërkon dikë, sepse ka shumë njerëz që jetojnë në ato apartamente dhe nuk janë të gjithë Hezbollahu.”

Trump sugjeroi që Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, është “shumë i aftë” për t’u marrë me Hezbollahun, duke e quajtur atë “shumë të mirë për mua”. Ai shtoi se nëse Izraeli nuk mund t’i kryejë operacionet “pa vrarë të gjithë të tjerët,” ai (al-Sharaa) do ta bëjë punën”.

I pyetur nëse ishte i frustruar nga veprimet e Netanyahut, Trump tha jo.

“Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk më pëlqeu që ai kreu një sulm të bazuar në dronë të vegjël në Liban… ishte mizori. Kjo ishte e tepërt”, shtoi ai.

“Tani Bibi duhet të jetë më i përgjegjshëm në lidhje me Libanin.”

Trump tha se, nga të gjitha vendet e prekura nga konflikti, “ato janë trajtuar më keq dhe nuk mund të mbrojnë veten”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb