NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, në datën 24 korrik 2015 ka miratuar disa ndryshime në rregulloren e këtij universiteti sa u përket krediteve që iu duhen studentëve që të kalojnë nga njëri vit në vitin pasardhës si dhe numrin e lëndëve që mund të përmirësojnë. Nëpërmjet vendimit qarkullues i cili mban datën 8 shtator 2015, përcaktohen kreditet që iu duhen studentëve që kanë nisur studimet para vitit akademik 2014-2015 për të kaluar në vitin pasardhës. Po ashtu përcaktohet se studentët kanë mundësi të përmirësojnë notat e 3 provimeve, ndërsa ata që janë në vitin e fundit mund të rishikojnë notat e 4 provimeve, përfshi edhe ato të viteve paraardhëse.

Rregullorja & kreditet
Sipas propozimeve të anëtarëve të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, janë shtuar nenet 53/1 dhe 54/1 në Rregulloren e Brendshme të Universitetit të Mjekësisë, të cilat prekin studentët që kanë filluar studimet para vitit 2014-2015. Nëpërmjet këtij ndryshimi të miratuar në korrik nga Senati, në Fakultetin e Mjekësisë, studenti kalon nga njëri vit akademik në tjetrin nëse ka plotësuar një numër të caktuar kreditesh. Një vit akademik ka në total 60 kredite.

Sipas nenit të ri të shtuar në rregullore përcaktohet se: Në vitin e tretë studenti kalon kur ka siguruar në total 60 kredite nga viti i parë dhe i dytë. Në vitin e katërt studenti kalon kur ka siguruar në total 120 kredite nga viti i parë, i dytë dhe i tretë. Në vitin e pestë studenti kalon kur ka siguruar në total 180 kreditë nga viti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt. Në vitin e gjashtë studenti kalon kur ka siguruar në total 240 kredite nga viti i parë, i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë.

Ndryshime janë bërë edhe në Fakultetin e Farmacisë dhe Stomatologjisë, pasi studenti kalon në vitin e tretë kur ka siguruar në total 60 kredite nga viti i parë dhe i dytë, në vitin e katërt kalon kur ka siguruar në total 120 kredite nga viti i parë, i dytë dhe i tretë, dhe në vitin e pestë kalon kur ka siguruar në total 180 kredite nga viti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt. Në Shëndetin Publik dhe në Infermieri, për të kaluar në vit të tretë studenti duhet të sigurojë në total 90 kredite nga viti i parë dhe i dytë, dhe përfundon vitin e tretë kur ka siguruar në total 180 kredite nga viti i parë, viti i dytë dhe viti i tretë. Një tjetër shtesë i është bërë edhe nenit 54, ku përfshihet neni 54/1, pikat e të cilit zbatohen vetëm për studentët të cilët kanë filluar studimet para vitit akademik 2014-2015, dhe do të aplikohen deri në përfundim të studimeve të tyre.

“Studenti ka të drejtën e rishikimit të notës në çdo vit akademik, për deri në 3 (tre) lëndë nga detyrimet e atij viti. Për rishikim note, studenti provohet vetëm njëherë dhe vetëm në sezonin e riprovimeve, duke mbetur në fuqi nota me të cilën studenti vlerësohet në fund. Kërkesa për rishikim note i paraqitet dekanatit/drejtorisë para sezonit të riprovimeve. Studenti i vitit të fundit ka të drejtë të rishikojë deri në 4 lëndë, përfshirë këtu edhe lëndë nga vitet paraardhëse”, përcaktohet në nenin 54/1 të shtuar në rregullore.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: