NGA ERMELINDA HOXHAJ*
Në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ) deri në orën 21:00 të ditës së premte ende nuk ka shpallur fitues një nga tre kandidatët nga garojnë për rektor. Edhe pse, nga të dhënat paraprake të numërimit, kandidati Arben Gjata kryeson me 38.3% të votave krahasuar me kandidatin Petrit Bara, i cili ka 36.3% të votave, pra kanë një diferencë vetëm 2%, ndërsa kandidatja e tretë, Mira Rakacolli ka marrë 25.4% të votave në total.
Kandidati Petrit Bara ka bërë edhe një kërkesë për rinumërim të votave që janë shpallur të pavlefshme, pasi janë 8 vota të tilla. Ndërkohë që diferenca e votës së pedagogëve mes tij dhe kandidatit Gjata është vetëm 1, kjo sipas të dhënave paraprake nga komisionet e numërimit, të cilat i ka pasqyruar në faqen e tij zyrtare kandidati që kryeson, prof. Arben Gjata.
Komisioni institucional zgjedhor i Universitetit të Tiranës, i cili kryesohet nga Majlinda Keta, ka ecur me ritme shumë më të shpejta edhe pse ka një numër më të lartë pedagogësh e studentësh sesa UMT-ja. KIZ i Tiranës ka publikuar edhe të dhënat se si janë votuar dy kandidatët për rektor të UT, Mynyr Koni dhe Klodeta Dibra, në 6 fakultetet e këtij universiteti.
Mjekësia
Gara te Universiteti i Mjekësisë është ende pa një fitues zyrtar, pasi KIZ pritet që paraditen e sotme të zyrtarizojë fituesit. “Kam mbi 8 orë që pres pranë KIZ për të marrë përgjigje zyrtare. Vonesa ku ka një diferencë kaq të ngushtë votash është e dyshimtë, se mund të bëhen manipulime. Nuk kam asnjë vendim zyrtar se kush ka fituar dhe si janë rezultatet. Drejtuesit e KIZ më thanë se përgjigjja zyrtare do jepet të shtunën paradite. Uroj që vendimi të jetë më datë 23 prill.
Pasi, nëse e marrin në 22 në darkë, më hiqet mundësia që të ankimoj vendimin”, – deklaroi kandidati Petrit Bara për “GSH”. Po ashtu, edhe kandidati Arben Gjata, i cili kryeson garën për rektor, ka deklaruar se nuk ka asnjë vendim zyrtar. “Nuk kam vendim zyrtar nga KIZ që të jem shpallur fitues, kam vetëm të dhënat nga komisioni i numërimit, ku kryesoj me 2% të votave. Por KIZ nuk mund të japë vendim pa u mbyllur procesi i numërimit”, – tha Gjata.
Ndër të tjera, i pyetur në lidhje me kërkesën e rivalit për rinumërim të votave, ai shprehet se është e drejtë e çdokujt për të bërë kërkesë. “Është e drejta e çdo njeriu për të bërë çdo kërkesë e cila zbatohet në ligj dhe në rregullore”, – tha Arben Gjata.
Votat për rektor në UT
Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ) i UT-së ka zbardhur votat e pedagogëve dhe studentëve për rektor dhe anëtarë senati për të gjitha fakultetet e këtij universiteti. Kandidati fitues Mynyr Koni, votat më të shumta i ka marrë nga fakulteti që ai drejton, Shkencat e Natyrës, ku e kanë votuar 128 pedagogë, ndërsa 43 pedagogë kanë votuar pro rivales së tij Klodeta Dibra.
Po ashtu, mbështetje të madhe Koni ka marrë nga stafi akademik i Fakultetit të Ekonomisë, por edhe nga studentët e këtij fakulteti, ku e votuan 112 pedagogë, dhe një numër i vogël prej 20 pedagogësh kanë votuar Dibrën. Stafi pedagogjik i Histori-Filologjisë rreth 80% kanë votuar për Mynyr Konin, pasi kanë votuar 61 kandidatë për të, dhe 25 për kandidaten Dibra. Po ashtu edhe te Shkencat Sociale, 42 pedagogë kanë votuar për rektorin e ri, Mynyr Koni, ndërsa 28 pedagogë kanë votuar për Dibrën.
Në këtë fakultet, kandidatja Klodeta Dibra ka gjetur mbështetjen e studentëve, pasi e kanë votuar rreth 60% e studentëve në krahasim me kandidatin Koni. Ndërsa, te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dibra ka kryesuar me 100 vota të pedagogëve, por 36 pedagogë të tjerë kanë votuar Konin. Mbështetje ajo ka gjetur edhe nga stafi akademik i Qendrës së Studimeve të Edukimit Fizik. Në total, kandidati fitues Mynyr Koni ka marrë 455 vota pedagogësh dhe 4.470 vota studentësh, ndërsa Klodeta Dibra ka marrë 251 vota pedagogësh dhe 4.117 vota studentësh.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
