NGA: OLA MITRE*
Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazh dim ka publikuar listën e përditësuar të mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve, të cilët kanë përmbushur numrin vjetor minimal të detyrueshëm të krediteve të edukimit në vazhdim, për vitin 2015. Të gjithë profesionistët që gjejnë emrin në këtë listë, do të duhet të vijojnë normalisht me mbledhjen e krediteve për vitin 2016, që janë të vlefshme për ciklin e dytë të edukimit në vazhdim. Ndërkohë që mjekët, farmacistët dhe stomatologët që nuk janë pjesë e saj do të duhet të kontaktojnë me QKEV-në për të mësuar procedurat që do të ndjekin. Kjo pasi, me ndryshimet ligjore që u bënë përgjatë vitit 2015, këta profesionistë e kanë detyrim që të mbledhin një numër të caktuar kreditesh përgjatë një viti.
Më konkretisht, mjekët duhet të kenë minimalisht 10 kredite, ndërkohë që farmacistët dhe dentistët nga 5 kredite. Lista e re publikohet pas asaj të disa javëve më parë, ku ata profesionistë që nuk e gjetën emrin në listë përditësuan të dhënat e tyre, përmes dorëzimit të dokumentacionit që vërtetonte pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e edukimit në vazhdim. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë listën e mjekëve dhe stomatologëve, të cilën e gjeni bashkëngjitur shkrimit. Nëse u referohemi të dhënave të përditësuara, rezulton se janë 3.775 mjekë, 1.790 stomatologë dhe 1.875 farmacistë që kanë përmbushur detyrimin për numrin minimal të krediteve, ndërkohë që 4.180 profesionistë nuk janë pjesë e listës. Kjo pasi, numri total i profesionistëve të shëndetësisë, të regjistruar pranë QKEV-së është 11.620, nga të cilët, 7.440 rezultojnë me detyrim të përmbushur.
Cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, i cili nisi në vitin 2015, do të zgjasë 4 vjet, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe pësoi ulje në krahasim me ciklin e parë. Sipas vendimit të qeverisë, brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Ndërkaq, ashtu sikurse ishte përcaktuar edhe gjatë ciklit të parë, profesionistët e shëndetësisë të cilët nuk plotësojnë kriteret e programit të certifikimit, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit, e nëse nuk e kalojnë me sukses humbasin licencën.
(Listen me emrat mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)
