Pas Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë, edhe mjekët shqiptarë në diasporë kërkojnë rritjen e pagave për punonjësit e shëndetësisë në Shqipëri, si mekanizmi i duhur për të frenuar ikjen masive të mjekëve dhe infermierëve nga vendi dhe njëherësh minimizimin e korrupsionit në shëndetësi.

Dr. Elona Meta, mjeke shqiptare që punon prej 8 vite në Gjermani dhe njëherazi themeluese e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, thotë se i është kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian një vit më parë që të ushtrojë presion mbi qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të zi, për të sanksionuar me ligj rrogën fillestare për mjekët, duke nisur nga pagesa 1.500 euro neto.

Mjekja i kujton qeverisë shqiptare se burgosja e bluzave të bardha nuk i ka dhënë zgjidhje në 30 vite korrupsionit në shëndetësi, pasi nuk e zgjidh problemin në themel, por e kundërta, thellon konfliktet mjekë – pacientë, duke u kthyer në një motiv më shumë që mjekët të ikin nga Shqipëria.

Në 24 shtator 2020, Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë nisi një valë protestash, si dhe i dërgoi një peticion Ministrisë së Shëndetësisë, ku në një nga pikat kërkohej rritja e pagave të personelit shëndetësor bazuar në mesataren e vendeve të rajonit. Pas kësaj, sindikata dhe qeveria u duk se gjetën dakordësinë për nisjen e dialogut.

Pas 10 muajsh, nuk ka asnjë sinjal pozitiv nga qeveria për 4 kërkesat e sindikatës, ndërsa kjo e fundit u shpreh kundër që në fillim të rritjes me vetëm 14 deri në 17 mijë lekë të pagave të mjekëve.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb