NGA OLA MITRE
TIRANE- Pas shpalljes së 90 vendeve të lira të punës për mjekët specialistë, të cilët nga punësimi nëpër spitalet rajonale e bashkiake ku ka mungesa do të përfitojnë 100 mijë lekë në muaj bonus, zëvendësministrja e Shëndetësisë, njëkohësisht drejtoreshë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Milva Ikonomi shpjegon se si do të bëhet përzgjedhja e fituesve. Përmes një prononcimi, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Ikonomi sqaron se mjeku i parë që paraqet kërkesën për një vend të caktuar, si dhe që plotëson kriteret e kërkuara, do të kontraktohet.
“Ashtu sikurse është përcaktuar edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave, ne mund të punësojmë deri në 200 mjekë, të cilët, përveç pagës mujore do të mund të përfitojnë edhe 100 mijë lekë bonus në muaj. Fillimisht ne shpallëm 90 pozicionet e para, për të parë se si do të ecë i gjithë procesi i kërkesave. Kandidatët duhet të paraqesin CV-në si dhe të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Në momentin që ne kemi një kandidat, i cili plotëson dhe kriteret, atëherë nënshkruhet edhe kontrata e punësimit. Ndërkohë që, në rastin kur ne do të kemi më shumë kërkesa sesa pozicione të ofruara, do të ndjekim rrugën e negocimit me mjekun. Kjo do të thotë se, do të shikohen mundësitë që kandidati të sistemohet ndoshta në spitalin e qytetit më të afërt me vendin ku ai dëshiron të punojë”, – u shpreh Ikonomi.
E pyetur në lidhje me mundësinë e zhvillimit të një konkursi mes kandidatëve për të njëjtin pozicion pune, zëvendësministrja tha se kjo nuk është parë si mundësi, pasi, ashtu sikurse theksoi më sipër, do të synohet negocimi mes palëve, në mënyrë që të mos humbasë asnjë kërkesë. Po ashtu, ajo sqaroi se nuk ka një afat përfundimtar për dorëzimin e dokumenteve, pasi në rast se nuk janë plotësuar kandidaturat për një specialitet të caktuar, atëherë mjekët e interesuar do të jenë të mirëpritur në çdo kohë.
VENDET & KRITERET
Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë publikoi pozicionet nëpër spitale ku ka mungesë të mjekëve specialistë. Sipas tabelës së publikuar nga MSH, gara është hapur për 90 vende të lira, ndërkohë që ndarja e tyre sipas 24 institucioneve spitalore dhe specialitetit të kërkuar ndodhet në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Të gjithë mjekët specialistë, të interesuar për t’u punësuar, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh si dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, që janë mirëpërcaktuar nga MSH. Kështu, kërkesat do të pranohen nga mjekë që kanë mbaruar specializimin si kuotë e lirë, e për të vërtetuar këtë pozitë duhet të paraqesin një vërtetim nga QSUT që nuk janë paguar gjatë specializimit.
Po ashtu, kanë të drejtë të aplikojnë mjekë që kanë mbaruar specializimin me kuotë të mbuluar dhe kanë kontratë me një nga spitalet, por të liruar nga kontrata për shkak të mungesës së vendit të lirë sipas kontratës përkatëse, si dhe të gjithë mjekët e tjerë të papunë. Këto tri kategori mjekësh do të duhet të paraqesin një kërkesë për punësim, duke përcaktuar dhe vendin që preferojnë, fotokopjen e kartës së identitetit, CV-në personale, kopjen e noterizuar të diplomës së fakultetit si dhe kopjen e noterizuar të certifikatës së specializimit. Po ashtu, të gjithë kandidatëve iu duhet të dorëzojnë kopjen e noterizuar të lejes së ushtrimit të profesionit nga Urdhri i Mjekëve, vërtetimin që është kuotë e lirë ose liruar nga kontrata pas specializimit dhe, nëse ka, edhe librezën e punës. Këto dokumente duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, çdo ditë, nga ora 10.00-14.00.
VENDIMI
Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që u miratua në datën 29.07.2015, të gjithë ata mjekë specialistë që do të zgjedhin të punojnë nëpër spitalet rajonale ku ka mungesa, përveç pagës, do të përfitojnë 100 000 lekë në bonus në muaj. Duke iu referuar këtij dokumenti, çdo vit nuk mund të punësohen më shumë se 200 mjekë, ndërkohë që kontratat e tyre nuk do të jetë definitive, por për një periudhë të caktuar.
Më konkretisht, në VKM thuhet: Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj”.
KRITERET DHE DOKUMENTET
Kërkesat pranohen nga:
• Mjekë që kanë mbaruar specializimin si kuotë e lirë (vërtetim nga QSUT që nuk janë paguar gjatë specializimit)
• Mjekë që kanë mbaruar specializimin kuotë e mbuluar dhe kanë kontratë me një nga spitalet, por të liruar nga kontrata për shkak të mungesës së vendit të lirë sipas kontratës përkatëse
• Mjekë të papunë
Dokumentet që duhet të paraqiten:
• Kërkesë për punësim duke përcaktuar dhe vendin që preferohet
• Fotokopje e ID
• CV e kandidatit
• Diploma e fakultetit (kopje e noterizuar)
• Certifikata e specializimit (kopje e noterizuar)
• Leja e ushtrimit të profesionit nga Urdhri i Mjekëve (kopje e noterizuar)
• Vërtetim që është kuotë e lirë ose liruar nga kontrata pas specializimit.
• Librezë e punës nëse ka.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
