Duhanpirja, obeziteti apo hipertensioni arterial janë tre nga shkaktarët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e tumoreve në veshka. Këto të fundit, në varësi të shkallës kur diagnostikohen, mund të çojnë deri në heqjen përfundimtare të veshkës së prekur.

Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku urolog në Shërbimin e Urologjisë në QSUT, Rezart Xhani tregon se mosha më e prekur është 60-70 vjeç, por nuk mungojnë rastet e shfaqjes së sëmundjes edhe në grupmosha më të reja. Më tej, mjeku thekson se në vendin tonë, ende nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin aktual të të sëmurëve, pasi mungojnë stafet multidisiplinare dhe kjo e bën shumë të vështirë ndjekjen korrekte të pacientëve.

Sa është numri i të prekurve nga tumoret e veshkave në vendin tonë?
Nuk ka të dhëna të sakta aktualisht për numrin e të sëmurëve me tumore të veshkave, për shkak se jo të gjithë të sëmurët e operuar në QSUT pas ndërhyrjes i drejtohen shërbimit të Onkologjisë, në të cilin dhe kartelizohen. Gjithashtu, nuk dihet aktualisht sa është numri i të sëmurëve me tumore të veshkave të operuar në spitalet rajonale dhe ato private në Shqipëri. Fatkeqësisht stafet multidisiplinare mungojnë dhe kjo e bën shumë të vështirë ndjekjen korrekte të këtyre pacientëve. Duhet të saktësohet me ligj zhvillimi i stafeve multidisplinare në rastet e tumoreve, në mënyrë që çdo mjek, i çfarëdo specialiteti të mos ndjejë peshën e vetmisë në vendimmarrjen për trajtimin e këtyre pacientëve.

Cilat janë shkaqet kryesore që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes?
Tri shkaqet kryesore janë: duhanpirja, obeziteti, hipertensioni arterial. Kjo triadë e dyfishon mundësinë për shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Ndërkohë, ka edhe faktorë gjenetikë, sepse pasja e një kushëriri të linjës së parë me tumor të veshkës është i lidhur me një rrezik të rritur të shfaqjes së tumorit.

Cila është grupmosha më e prekur?
Më shpesh preken grupmoshat 60-70 vjeç, por mund të kemi shfaqje të këtyre tumoreve edhe në grupmosha të tjera. Raporti burra/gra është 3:2.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/05/28/rezart-xhani-tumoret-ne-veshka-ja-cilet-jane-shkaktaret-kryesore/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb