Janë publikuar pamjet nga aksioni i koduar “OROLOGI” i cili është zhvilluar në bashkëpunim mes strukturave të Drejtorisë së Policisë Kriminale, Forcës së Posaçme Operacionale, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtorive vendore në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Në përfundim të hetimeve, me vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” për gjashtë persona të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik të lëndëve narkotike:
- A. H., 42 vjeç, Tiranë
- E. N., 44 vjeç, Tiranë
- P. D., 53 vjeç, Durrës (aktualisht në paraburgim)
- K. H., 37 vjeç, Tiranë
- E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, Elbasan (aktualisht në paraburgim)
- I. Ll., 39 vjeç, Elbasan
Ndërkohë, për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç nga Vlora, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi ndodhet në arrati. Ai është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve të kryera janë sekuestruar armë zjarri, para në valutë të ndryshme, orë të shtrenjta, automjete dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për veprimtari kriminale. Konkretisht, u sekuestruan:
- 3 armë zjarri të llojit pistoletë
- 43.470 euro dhe 5000 franga zvicerane
- 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63
- 1 skaf luksoz “Hull Works Sarock 40”, prodhim 2025
- Orë luksoze: një Rolex dhe një Richard Mille model McLaren RM50-03/68
- 16 aparate celularë, shumica iPhone dhe Samsung
- 19 karta bankare ndërkombëtare në emër të personave nën hetim
- Dokumente për llogari bankare dhe transaksione financiare në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama
- 1 dron dhe 8 hard disqe me kapacitet 6TB
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Posaçme për veprime të mëtejshme.
