Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila është më 3 maj ka thënë se një media e lirë, e shumëllojshme dhe e pavarur është esenciale në çdo shoqëri demokratike.
“Po festojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Një media e lirë, e shumëllojshme dhe e pavarur është esenciale në çdo shoqëri demokratike. Pa liri të shprehjes dhe liri të mediave, një qytetari e informuar, aktive dhe e angazhuar është e pamundur. BE-ja do të dëshironte t’i nderoj ata të cilët humbën jetën, u burgosën ose vuajtën pasoja të padrejta për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes. Ne e ripohojmë përkushtimin tonë në promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në mbarë botën, ndërsa vazhdojmë të promovojmë sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të mediave”, tha Mogherini.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka shkuar edhe më tej me deklaratat e saj, duke theksuar se “BE-ja ripërsërit se në shtetet demokratike, liria e shprehjes duhet të përfshijë idetë që mund të ofendojnë, tronditin ose trazojnë shtetin apo çfarëdo pjese të popullsisë, duke përfshirë ideologjitë, fenë si dhe satirën”. Sidoqoftë, sipas saj, liria e shprehjes nuk përfshin nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes”.
“Teknologjitë informative dhe komunikuese (TIK) tanimë janë pjesë e jetës së përditshme dhe sigurojnë mundësi të reja për përmbushjen e të drejtave të njeriut dhe për zhvillim shoqëror dhe ekonomik. Qasja jodiskriminuese tek informacionet dhe liria e shprehjes duhet të sigurohet dhe mbrohet për të gjithë individët, si online ashtu edhe offline. Interneti duhet të mbes një rrjet i vetëm, i pandarë, që i nënshtrohet ligjeve të njëjta dhe normave të aplikueshme në fusha të tjera në jetën tonë të përditshme ku individët mund të përfitojnë nga të drejtat e tyre dhe kompensimet gjyqësore kur këto të drejta shkelen. Këto parime janë njohur nga Konkluzionet e Këshillit të BE-së mbi Qeverisjen e Internetit të 27 nëntorit 2015 dhe Konkluzionet e Këshillit për Diplomacinë Kibernetike të 11 shkurtit 2015”, tha ajo.
Mogherini u shpreh se BE-ja është edhe më tej e përkushtuar në fuqizimin e përpjekjeve ndërkombëtare që nxisin promovimin e lirisë së shprehjes dhe mirëpret mandatin për procedurat e reja të veçanta të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e privatësisë.
“Pas gati një viti kur Këshilli për Punë të Jashtme miratoi Udhëzimet e BE-së për të Drejtat e Njeriut mbi “lirinë e shprehjes online dhe offline”, BE-ja është e vendosur të vazhdojë të shfrytëzojë të gjithë instrumentet e jashtëm të duhur financiarë të BE-së për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e mendimit dhe shprehjes dhe për të mbështetur lirinë e mediave dhe pluralizmin”, tha ajo.
(m.k/BalkanWeb)
