Udhëheqësi i ri suprem i Iran, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është shfaqur në publik që nga emërimi i tij në këtë post javën e kaluar, ka reaguar përmes një deklarate me shkrim lidhur me vrasjen e një zyrtari të lartë të sigurisë.
Në deklaratën e publikuar të mërkurën, ai premtoi hakmarrje për vrasjen e Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, si dhe të djalit të tij dhe disa bashkëpunëtorëve.
“Me hidhërim të thellë mora lajmin për martirizimin e Ali Larijanit, sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe përfaqësuesit të udhëheqësit në këtë këshill, së bashku me djalin e tij dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij. Pa dyshim, vrasja e një personaliteti të tillë tregon rëndësinë e tij dhe armiqësinë e kundërshtarëve të Islamit”, thuhet në deklaratë.
Më tej, Khamenei theksoi se kjo ngjarje nuk do të dobësojë sistemin, por përkundrazi do ta forcojë atë, duke paralajmëruar pasoja për autorët.
“Ata që janë armiqësorë ndaj islamizmit duhet ta dinë se kjo gjakderdhje vetëm sa do ta bëjë më të fortë sistemin islamik, dhe çdo gjakderdhje ka çmimin e vet. Vrasësit e tij kriminelë do ta paguajnë shumë shpejt për gjakun e tij,” përfundon deklarata.
