14 persona janë arrestuar në lidhje me tensionet gjatë proetstës kombëtare të zhvilluar dje nga opozita. Gazetarja Xhensila Koda raporton se 9 persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Në total janë shoqëruar 23 persona, 4 prej të cilëve të mitur. Pas verifikimeve ata janë liruar.

“Më datë 22.03.2026, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Si dhe janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
-nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Që në nisje të protestës kishte molotovë dhe fishekjzarre në drejtim të institucioneve të ndryshme, ndërkohë që policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me piper.

Nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa në një moment kanë qenë deputetët e PD, Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Xhelal Mziu ata që edhe kanë pasur momente tensioni dhe kanë lëshuar akuza drejt policëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb