Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullaj, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka folur mbi protestën e djeshme të Partisë Demokratike dhe tensionet që shoqëruan tubimin.
Sipas Mullajt, gjatë protestës ndaj efektivëve të policisë janë përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe mjete të forta, duke shkaktuar plagosjen e 16 punonjësve të policisë. Ai e cilësoi situatën si sulm të drejtpërdrejtë ndaj forcave të rendit, duke theksuar se mjetet janë hedhur mbi trupat e efektivëve.
Mullaj bëri të ditur se për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për akte të organizuara, është ngritur një grup hetimor i drejtuar nga Prokuroria e Rrethit Tiranë, i cili do të hetojë ngjarjet e ndodhura gjatë tubimit.
Sipas Policisë së Shtetit, aktet e dhunës kanë nisur pas përfundimit të fjalimeve në protestë. Mullaj tha se policia ka treguar vetëpërmbajtje, duke bërë thirrje për distancim nga dhuna, largimin e të miturve dhe personave të maskuar që, sipas tij, hodhën sende të forta dhe molotov.
Ai shtoi se në bulevard policia ka përdorur vetëm automjetin ujëhedhës, pasi kishte paralajmëruar paraprakisht protestuesit, ndërsa gazi lotsjellës është përdorur në zonën para Parlamentit për shkak të, sipas tij, intensitetit të lartë të sulmit ndaj policisë.
I pyetur për procedimin ndaj deputetit Belind Këlliçi, edhe pse ky i fundit ndodhet në SHBA, zëdhënësi pretendoi se ai është vënë nën hetim jo për dhunë ndaj punonjësve të policisë por për organizim të tubimit.
“ Nuk është lapsus, zoti Këlliçi nuk është proceduar për kundërshtim të punonjësve të policisë por për organizim të tubimit. Policia ka pasur informacionin e nevojshëm dhe janë referuar materialet në Prokurori Tiranë. Pasi kanë mbaruar fjalimet te tubimi para kryeministrisë, kanë filluar aktet e dhunës. Policia është treguar e përmbajtur. I ka bërë thirrje që të distancohet nga aktet e dhunës. Gazi lotsjellës është përdorur para parlamentit pasi sulmi ka qenë me intensitet të lartë para punonjësve të policisë.”, tha ai.
Ai komentoi edhe incidentin, ku deputeti i PD Bledion Nallbati u dhunua nga efektivë të policisë dhe përfundoi në spital.
“Në fazën e dytë të tubimit sulmi ndaj efektivëve të policisë ka qenë i egër. Në një moment sulmi është ndërprerë dhe ka nisur sërish. Sa i përket deputetit ka një grup hetimor, do hetohen edhe veprimet e policisë. Nuk më rezulton që të kenë shkuar te deputeti për ta goditur, gjithsesi grupi hetimor do e hetojë”, tha ai.
