Një incident i rëndë sigurie është regjistruar javën e kaluar në një dyqan në Ohajo, ku një i dyshuar për grabitje tentoi të qëllonte një oficer policie. Ngjarja është kapur nga kamerat e sigurisë së dyqanit.
Pamjet tregojnë 21-vjeçarin Shane Newman të ulur në një divan brenda një dhome sigurie, me një vajzë pranë tij. Papritur, ai nxjerr një armë nga brezi dhe përpiqet të qëllojë oficerin, ndërsa vajza dëgjohet duke bërtitur “jo, jo, jo!”.
Sipas autoriteteve, një punonjës i dyqanit u hodh menjëherë mbi të dyshuarin për ta çarmatosur. Megjithatë, Newman e tërhoqi këmbëzën edhe për herë të dytë. Për arsye ende të paqarta, arma u bllokua dhe nuk u shkrep, çka shmangu plagosjen e oficerit.
Oficeri i policisë, i cili ishte objektivi i sulmit, arriti ta neutralizojë dhe ta arrestojë të riun. Duke folur më pas me kolegët e tij, ai deklaroi se i dyshuari “nxori armën, ia drejtoi kokës dhe tërhoqi këmbëzën”.
Polici bëri të ditur se kishte menduar të përdorte armën e tij, por u tërhoq nga frika se mund të godiste punonjësin e dyqanit që po përpiqej të çarmatoste të dyshuarin. Ai shtoi se vetëm pak sekonda para incidentit ishte informuar se Newman kishte një urdhër arresti aktiv dhe ishte përshkruar si “i armatosur dhe i rrezikshëm”. Pas arrestimit, 21-vjeçari u akuzua për tentativë vrasjeje dhe sulm ndaj një oficeri policie. Autoritetet po vijojnë hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes.
HEART-STOPPING MOMENT: A suspected shoplifter allegedly pulled a gun on a police officer inside an Ohio Walmart.
Shane Newman, 21, has reportedly been charged with attempted murder and felonious assault on a police officer, court records show. pic.twitter.com/j3TTnAwuob
— Fox News (@FoxNews) December 21, 2025
