BARI/ ITALI

Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio ka kujtuar sot nga Bari mbërritjen e dhjetëra anijeve me shqiptarë 30 vite më parë dhe pritjen nga populli italian, që siç tha ai na bën krenarë dhe sot.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, Di Maio tha se mbi këtë kornizë nisi afrimi i vazhdueshëm i Shqipërisë në Europë, një afrim që Italia dhe ai personalisht e ka mbështetur dhe inkurajuar.

Ministri italian deklaroi se dëshira është që negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE të mund të hapen më në fund këtë vit duke theksuar më tej se Europa duhet të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve, raporton “BalkanWeb”.

“Jemi këtu për të kujtuar një ngjarje të rëndësishme, ardhjen e parë të miqve shqiptarë këtu në Puglia që erdhën këtu 30 vite më parë, pikërisht në këto ditë. Puljezët dhe do thosha të gjithë italianët ruajnë në memorie imazhet e atyre personave të ngjeshur me mijëra në anijet e fatit. Për shumë shqiptarë Italia do të thoshte mbi të gjitha liri dhe shpresë për një jetë më të mirë. Nuk e dimë me saktësi se sa shqiptarë mbërritën në brigjet puljeze ata muaj dramatikë të vitit 1991, sigurisht disa dhjetëra mijëra. Vetëm anija “Vlora” që u ankorua në portin e Barit në gushtin e 1991 transportonte 20 mijë persona. Të gjithë ata ashtu sikurse mijëra bashkatdhetarët e tjerë që erdhën në muajt e mëpasshëm gjetën mikpritje. Pritja e shqiptarëve nga qytetarët puljezë ishte e jashtëzakonshme dhe ende sot na mbush me krenari. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali, janë sot rreth 500 mijë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjithë sektorët e shoqërisë sonë.
Për këtë arsye jam sot këtu me Edi Ramën, mik i sinqertë i Italisë dhe me presidentin e rajonit të Puglias për të kujtuar ato momente aq domethënëse dhe prekëse që kanë kontribuar për të bashkuar dhe më shumë popujt tanë duke na shtyrë të mendojmë dhe për të ardhmen.
Pikërisht mbi këtë kornizë nisi afrimi i vazhdueshëm i Shqipërisë në Europë, Një afrim që Italia dhe unë personalisht e kemi mbështetur dhe inkurajuar. Dëshira është që negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE të mund të hapen më në fund këtë vit.
Ndërsa veprojmë që t’i japim perspektivë konkrete këtij rrugëtimi në planin dypalësh kemi ndërtuar një raport unik dhe të thellë në të gjitha këndvështrimet ekonomik, kulturor dhe social. Roli i Italisë në Shqipëri është padyshim special. Ambasada jonë koordinon një prezencë të gjerë në Shqipëri. Pavarësisht se 2020 ishte një vit veçanërisht i vështirë Italia është konfirmuar si partneri i parë i Shqipërisë me 31.4% të shkëmbimeve tregtare, të barabartë me rreth 2.2 miliardë euro, mendoni rreth 20% të PBB shqiptar. Po kështu dhe bashkëpunimi kulturor. Sot kemi shumë për të kujtuar dhe festuar. Nuk duam ta bëjmë në mënyrë retorike por duke e mbajtur shikimin drejt së ardhmes. Rrugëtimi ynë i bashkëpunimit dhe miqësisë vazhdon me hapa konkretë i dashur Edi dhe Italia mbështet bindshëm Shqipërinë dhe për këtë besojmë që Europa duhet të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve”, deklaroi Di Maio.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: