Një skenë paniku u regjistrua të hënën, më 16 shkurt, në provincën Buriram, kur një elefant mashkull 19-vjeçar, i quajtur Fly Petch Uthai, sulmoi pronarin e tij dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në automjete, pasi u ndërpre gjatë një seance çiftëzimi.
Sipas raportimeve të Daily Mail, elefanti ishte sjellë nga pronari 35-vjeçar, Somborn, për t’u çiftëzuar me një elefant femër. Autoritetet lokale thanë se kafsha reagoi dhunshëm kur kujdestari i saj u përpoq ta largonte pas çiftëzimit. Pamjet tregojnë elefantin duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij, duke përmbysur një makinë të bardhë dhe duke ndjekur një motoçiklist, ndërsa banorët shikonin me tmerr. Kryetari i fshatit, Utai Yeerum, shpjegoi se elefanti ishte përdorur për shumim, por ndërhyrja e shpejtë e pronarit mund të ketë shkaktuar acarim, duke e bërë kafshën agresive dhe posesive ndaj femrës.
Si pasojë, pronari i elefantit pësoi një dëmtim të rëndë në mushkëri dhe u transportua urgjent në spital. Elefanti më pas u arratis, duke dëmtuar dy makina, shenja rrugore dhe duke frikësuar banorët. Vullnetarët nga Elephant Kingdom mbërritën në vendngjarje dhe i administruan kafshës qetësues, duke e imobilizuar pas rreth dy orësh përpjekjesh. Një nga pronarët e makinave të dëmtuara, 30-vjeçari Natapon Malihoon, tha se po priste vendimin e kompanisë së sigurimeve për mbulimin e dëmeve. Aktualisht, elefanti ndodhet nën kujdesin e veterinerëve në Elephant Kingdom në provincën Surin, ndërsa kujdestari i tij vazhdon trajtimin në spital.
