Dinamo i ka dhënë fund shpejt pushimeve të fundvitit dhe është rikthyer në fushë që në datën 3 janar. Për skuadrën e Dajës nuk ka pasur shumë kohë për të pushuar duke qenë se ndryshe nga skuadrat e tjera që e mbyllën kampionatin para Krishtlindjeve, Dinamo dhe Egnatia zhvilluan finalen e Superkupës, e fituar nga kryeqytetasit me rezultatin 3-1.

Skuadra blu ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Besës së Kavajës, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Skuadra e drejtuar nga Daja, do të ketë një objektiv të qartë këtë sezon, ku veç titullit që natyrisht është përmendur shpesh herë nga drejtuesit e klubit, edhe mbrojtja e Kupës së Shqipërisë, është një objektiv tjetër.

Dinamo i mori Egnatias në vitin e shkuar 2 trofe dhe sigurisht që dëshira në kampin blu, është që të vazhdojnë dominimin e tyre në futbollin shqiptar dhe për të bërë këtë, fillimisht duhet kaluar ndeshja e 10 janarit kundër Besës. Ky raund i Kupës, është me ndeshje teke, ku Dinamo është skuadër organizatore dhe do të jetë pritëse e sfidës. Në rast barazimi, skuadrat do të luajnë shtesa e më pas do t’i drejtohen penalltive në rast barazimi sërish.

Dinamo ende nuk e ka vendosur se ku do ta luajë ndeshjen me Besën. Këtë sezon, blutë kanë provuar të luajnë në Elbasan, në “Selman Stërmasi” dhe në “Air Albania”, por gjasat që kjo sfidë e Kupës të luhet në Arenën Kombëtare, janë të pakta.

Duke parë turin se ku luhet ndeshja, me shumë gjasa do të kërkohet një zgjidhje alternative, teksa ndeshjet e kampionatit, pritet të luhen sërish në “Air Albania”, pasi cilësia e fushës e lejon skuadrën e Dajës që të shprehet më mirë dhe të ketë mundësi të bëjë lojën e saj pa u ndikuar nga terreni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb