Gazetari Klevin Muka, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka dhënë një këndvështrim mbi qëllimin final të protestës qytetare, duke propozuar hapa konkretë politikë.

Muka solli në vëmendje porositë e At Zef Pllumit, ndërsa theksoi se lëvizja ka një qëllim madhor: përmbysjen dhe ndryshimin e të gjithë sistemit aktual. Ai vlerësoi maksimalisht stafin organizator që po kujdeset në prapaskenë për të ruajtur pastërtinë e kauzës nga tentativat e vazhdueshme për diversion dhe përçarje politike.

Sipas gazetarit, që lëvizja qytetare të mos venitet, ajo duhet të materializohet në kërkesa të forta politike që prekin direkt pushtetin.

“Qëllimi është një sistem i ri. A do arrijë të materializohet, kjo do të shihet. Si një lëvizje e re, kërkesat imediate duhet të ishin zgjedhjet e parakohshme ose një qeveri tranzitore. Pa u krijuar një çetë intelektualësh që t’i ndërrojnë trurin këtij popullit, ky vend nuk mund të ndryshojë. Siç ka thënë At Zef Pllumi… Unë mendoj se është momenti i duhur për të realizuar profecinë e tij. Ky do të ishte momenti i duhur,” deklaroi Muka.

Muka u ndal edhe te debatet e fundit se pse nuk lejohen disa personazhe të caktuar të mbajnë fjalime në pedonalen e protestës, duke zbuluar ekzistencën e një grupi koordinues që mbron tubimin nga partitë.

“Duan të krijojnë diversion dhe përçarje sa u përket personave që flasin, dhe pse nuk lejohen disa të tjerë të flasin. Ka një grup nismetarësh që janë kujdesur të mos ndyhen politikisht. Ata janë djem dhe vajza të palodhur, jo partiakë, të cilët kujdesen me kontribut personal, edhe pse kanë familjet dhe punët e tyre,” tha Muka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb