Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe deputeti i zgjedhur, Besart Xhaferri ishte i ftuar në News24, ku foli në lidhje me situatën politike në vend dhe jo vetëm. Ai u ndal në sulmin e ndërmarrë ndaj News24 nga KAYO dhe Ardi Veliu, me bllokimin e godinës dhe ndalimin e gazetarëve që të hyjnë në redaksi e të vijojnë punën normalisht.
Xhaferri u shpreh se sulmi ndaj Neës24 ishte i planifikuar për të mbyllur 25 vite histori të një media që ka thënë gjithmonë të vërtetën.
“Sulm i destinuar për të mbyllur sinjalin dhe zërin e medias së lirë dhe një historie të medias shqiptare në çerek shekulli me mijëra orë transmetim. Turmp i madh për një shoqëri që aderon të hyjë në BE dhe është anëtarë në NATO. Të mbyllësh një televizion për të hapur një fabrikë armësh, makabritet dhe çmenduri me të cilën duhet të jetojmë këto kohë.. Mediat dhe gazetarët kanë ata që qarkullojnë gjakun e shoqërisë në mënyrë që qytetarët të informohen.
Vendimi i një individi ka prevaluar mbi atë të gjykatës. Sot shoh njerëz fantastikë të motivuar, kanë kthyer këtë sallë provizore në një televizion funksional. Më pëlqen më shumë që janë këtu dhe punohet se në mediat e preferuara të qeverisë me studio luksoze”, tha ai.
Xhaferri u ndal edhe në faktin që në 17 qershor “Timak”, një kompani që merret me prodhimin, konvertimin dhe montimin e konstruksioneve metalike dhe atyre plastike në automjete shiti 49 për qind të aksioneve të saj për një çmim prej vetëm 490 eurosh.
“Është akoma fazë e hershme dhe investigimet tona vijojnë, por duket si një kompani që pompohet nga Rama, por e gjithë kompania nuk vlen as 1 mijë euro,. Shihet si rast i pastrimit të parave.
Kushdo të jetë për prestanome të gjitha rrugët të çojnë te Rama që do të kapë të gjitha resurset shqiptare.
Për të pasur kompani si KAYO apo TIMAK është ajo që bën të kemi sulme të tilla si ajo që ndodhi ndaj News24”, tha ai.
Krijimi i Timak Defence dhe monopoli i automjeteve të ushtrisë
“Timak” është një kompani e promovuar shumë fort nga qeveria kohët e fundit. Pronarja e saj, Arjeta Puca është ftuar në podcastin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ambientet e kompanisë në Kashar janë vizituar disa herë nga ministra të qeverisë. Blerësi ishte Ron Yeffet, një izraelit me nënshtetësi shqiptare dhe nën rrogoz shumë i afërt me Edi Ramën.
Në kulmin e sezonit veror, teksa shumica e shqiptarëve ishin me pushime, saktësisht në datën 4 gusht, shoqëria shtetërore ushtarake Kayo dhe Timak themeluan një kompani të përbashkët. Kompania quhet Timak Defence dhe zotërohet 80 për qind nga Timak dhe 20 për qind nga shoqëria shtetërore Kayo. Objekti i shoqërisë është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike te posaçme me një arkitekturë të hapur që lejon instalimin e sistemeve të armatimit dhe çdo sistem tjetër, që kërkohet nga forcat e armatosura apo struktura te tjera te sigurisë, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.
Me pak fjalë, kjo është shoqëria që do të ketë monopolin e furnizimit të ushtrisë, policisë, gardës, emergjencave civile etj.. me automjete. Vendi i ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë do të jetë në ish uzinën e pjesëve të këmbimit të automjeteve, në Shkozë, në godinën ku ndodhej televizoni Neës 24.
Pesë ditë pasi Ardi Veliu dhe përfaqësuesit e Timak formuan kompaninë e përbashkët, qeveria turri policinë dhe forcat ushtarake duke ngritur zgupthi gazetarët e Neësit nga godina.
Monopoli i furnizimit të shtetit me automjete është një biznes shumë i madh, dhjetra milionë euro në vit. Por akoma mbetet e paqartë se cila është vlera e shtuar që krijon kompania. Duke qenë se Shqipëria nuk prodhon dot automjete, gjasat janë që ky të jetë një tregtim me pak vlerë të shtuar, me kompaninë e re Timak Defence, që importon mjete nga jashtë dhe i përshtat në vend duke ia shitur qeverisë
