Një tragjedi me përmasa të mëdha ka goditur luginën Trishuli në veri-qendër të Nepalit, ku përmbytjet e fuqishme shkatërruan banesa, ura, rrugë dhe infrastrukturë, ndërsa qindra persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Mes kaosit, një mësues 47-vjeçar arriti të shpëtojë qindra nxënës nga një fat tragjik. Rajendra Dawadi, mësues i anglishtes në Shkollën e Mesme Tribhuvan Trishuli, mori paralajmërimin se lumi po dilte nga shtrati dhe se një fshat disa kilometra më lart ishte përfshirë nga ujërat. Në atë moment, rreth 900 nxënës ndodheshin brenda kompleksit shkollor. Dawadi dha menjëherë alarmin dhe mësuesit nisën evakuimin drejt zonave më të larta. Ai kontaktoi edhe drejtuesit e autobusëve që transportonin nxënësit dhe u kërkoi të ktheheshin. Njëri prej autobusëve kishte hyrë tashmë në një urë kur uji po rritej me shpejtësi. Automjeti arriti të kalonte në anën tjetër, por vetëm pak çaste më vonë ura u shemb.

Nxënësit u larguan me shpejtësi drejt terrenit të lartë. Një prej tyre pësoi një atak paniku dhe u transportua me motoçikletë, ndërsa të tjerët vazhduan të largoheshin në këmbë. Sipas raportimeve, të gjithë fëmijët në shkollë arritën të shpëtonin. Ndërkohë, dy pjesëtarë të stafit, mësuesi Santos Pariyar dhe drejtori Sultan Lama, humbën jetën gjatë katastrofës.
Kur banorët e cilësuan Dawadin si hero, ai u përgjigj thjesht: “Çfarë tjetër mund të kisha bërë?”. Sipas analizave të deritanishme, një masë e madhe akulli dhe shkëmbinjsh u shkëput në rajonin Langtang Lirung, pranë kufirit mes Nepalit dhe Tibetit. Masa ra rreth 1,200 metra drejt një gryke të thellë, duke shkaktuar një rrjedhë gjigante uji, balte, akulli dhe shkëmbinjsh. Vërshimi u përhap me shpejtësi nëpër lugina, duke marrë me vete gjithçka që i doli përpara. Vendbanime të tëra u dëmtuan ose u shkatërruan, ndërsa urat dhe rrugët u shembën dhe rrjedha e lumenjve ndryshoi në disa zona.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja e klimës po rrit paqëndrueshmërinë në Himalaje. Shkrirja e akullnajave dhe e ngricave të përhershme mund të dobësojë shpatet malore dhe të shtojë rrezikun për shembje, rrëshqitje dhe përmbytje të menjëhershme. Katastrofa në luginën Trishuli është tashmë një nga shembujt më dramatikë të rrezikut me të cilin përballen komunitetet që jetojnë poshtë zonave akullnajore të Himalajeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: