Flamurtari ka rinisur përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Françesko Moriero, i cili ka qenë i pranishëm në Vlorë edhe gjatë festave të fundvitit.

Tekniku italian ka zgjedhur të mos largohet nga qyteti bregdetar për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion, duke shfrytëzuar çdo ditë për të planifikuar punën me skuadrën. Madje, Moriero ka pasur pranë edhe familjen e tij, e cila ka qëndruar disa ditë në Vlorë.

Që prej datës 3 janar, ekipi ka nisur stërvitjen me intensitet, duke pasur si fokus të menjëhershëm ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti ndaj Elbasanit, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Trajneri dhe stafi teknik po punojnë për të rikthyer formën optimale të skuadrës, pas pauzës së kampionatit.

Pjesa më e madhe e futbollistëve janë bashkuar rregullisht në seancat stërvitore, ndërsa vëmendje ka marrë edhe situata e Denis Pjeshkës. Mbrojtësi shkodran është përfolur si një nga emrat që mund të largohet gjatë janarit, por aktualisht ai vazhdon të stërvitet me Flamurtarin dhe ndodhet ende në Vlorë. As klubi dhe as lojtari nuk kanë konfirmuar një ndërprerje bashkëpunimi, çka rrit ndjeshëm gjasat që Pjeshka të mbetet pjesë e skuadrës edhe në vazhdim.

Në stërvitje janë rikthyer gjithashtu Aleskovski, Çantakias, Trashi, Murataj, Marku, Janku, Todoroski dhe Maksuti, duke plotësuar grupin dhe duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë e punës. Flamurtari synon të paraqitet sa më i konsoliduar në sfidat e ardhshme, duke pasur si objektiv rezultate pozitive si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Në këtë kompeticion kërkohet që të dilet se më parë nga zona e ftohtë e rënies.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb