Në fillim ishte i ati që mban postin e trajnerit, ndërsa tani është vetë lojtari, i biri, që e konfirmon se marrëdhëniet babë e bir në një skuadër janë shumë të ndërlikuara.
Gugash Magani, trajneri i Teutës, pak kohë më parë u shpreh se ishte mjaft e vështirë të menaxhonte situatën kur i duhej që të ulte ne stol djalin e tij, Arturin. Ka qenë vetë ky i fundit që në intervistën e pas ndeshjes me Korabin të fituar sot 0-4, e ka përforcuar më shumë idenë e të atit trajner duke shtuar se ky është sezoni i fundit që ata qëndrojnë të dy në të njëjtën skuadër.
Për 3 golat e shënuar në këtë sezon
“Sigurisht që edhe këto tre gola të këtij sezoni i vlerësoj, por jam më shumë i kënaqur me sezonin e vjetshëm. Këtë vit unë dhe të tjerët prisnim që të shënoja më shumë, por nuk u arrit për shumë arsye. Megjithatë iu gëzohem këtyre golave sepse i kanë dhënë pikë ekipit dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Shpresoj në ndeshjet që kanë ngelur të shënoj sa më shumë.”
Për deklaratën e të atit në lidhje me vështirësinë e të qënurit babë e bir në të njëjtin ekip
“E kam dëgjuar atë deklaratë dhe them që vitin e ardhshëm nuk do jem pjesë e Teutës, ose më saktë nuk do të jemi të dy, ose ai ose unë. Edhe vjet ishim në një ekip por gjërat shkuan mirë, ndërsa këtë vit nuk kanë shkuar aq mirë për mua dhe presioni ka qënë shumë shumë i madh. Pajtohem me deklaratën e tij”, u shpreh ai për emision “Gol pas Goli”.
(e.k/BalkanWeb)
