Banorët e Dimalit kanë dalë sërish në protestë kundër reformës territoriale, e cila parashikon heqjen e kësaj bashkie nga harta e njësive vendore dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat.

Me pankarta në duar, qytetarët kanë kërkuar që qeveria të mos e prekë Dimalin, duke e cilësuar atë si një zonë me rëndësi të madhe për zhvillimin bujqësor dhe jetesën e banorëve.

“Mos e prekni Dimalin, do ta mbrojmë”, kanë qenë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët shprehen se ndryshimi territorial do të sjellë vështirësi për qytetarët, veçanërisht për fermerët e njësive administrative Kutalli, Cukalat dhe Poshnje. Sipas banorëve, bashkimi me Beratin do të ndikojë në marrjen e shërbimeve dhe do ta vështirësojë aksesin e tyre në institucionet vendore.

Gjatë protestës, administratori i Njësisë Administrative Kutalli, Miço Rakazia, ka bërë publike dorëheqjen nga detyra që mban. “Meqë në Dimal nuk do të ketë më asnjë shërbim për qytetarët, jap dorëheqjen”, mësohet të jetë shprehur Rakazia. Banorët deklarojnë se do të vijojnë protestat kundër ndryshimeve territoriale, duke kërkuar që Bashkia Dimal të ruhet si njësi më vete.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: