Ardian Bushi autor i emisionit “Vetting”
Katër ditë pas sulmit brutal ndaj televizionit News24, gjykata foli me vendim të formës së prerë, duke konstatuar shkeljet e rënda të kryera nga Policia e Shtetit, Policia Ushtarake dhe drejtuesi i operacionit, Ardi Veliu.
Ky veprim, i ndërmarrë pa asnjë vendim gjykate, është një precedent i rrezikshëm për lirinë e medias dhe për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Sot foli ligji, por padrejtësia ende ecën në këmbë.
Më kujtohet vargu i poetit të madh Agim Doçi: “Mos më prek shkaj Drencën.” Sot e them ndryshe: “Mos ma prek, Ardi Veliu, News24.”
Më datë 09.08.2025, në orët e para të mëngjesit, pa asnjë procedurë ligjore, gazetarët e News24 u nxorën me forcë nga godina. Sinjali i transmetimit u fik. Godina u mor peng. Pas 11 orësh “ luftimesh”, Policia Ushtarake të nesërmen “mësyn” ambientet ku punonin gazetaret duke bastisur zyrat e Neës24 edhe pse uniformave te ushtrisë i ishin bashkuar “rekrute” të cilët boshatisen zyrat. U grabiten pajisje, dosje dhe dokumente pa praninë e gazetarëve, ndërsa në zyrat tona u futën civilë, të cilët mbroheshin nga policia e shtetit dhe policia ushtarake, ndërsa “armiqtë” te cilët deri te shtunën kishin denoncuar me fakte e prova skandalet e Zv. Kryeministres Belinda Balluku e kompani, duhej të qëndronin sa me larg vendit te tyre te punës.
Kjo skenë e paprecedentë nuk ishte thjesht një shkelje ligjore ishte një sulm i paramenduar për të grabitur “armët” e gazetarit: stilolapsa, blloqe, dosje hetimore, dokumente të shumta, kamera, aparate fotografike gjithçka që shërben për të ndjekur një lajm e për ta shpalosur të vërtetën para publikut.
U ndoqën jo vetëm gazetarët, por edhe e vërteta që ata mbanin në duar. Dhe të gjithë e dinë pse, për të gjunjëzuar median e lirë dhe për të fshehur dosjet korruptive të zyrtarëve të lartë, të cilat “Vetting “ i kishte siguruar me shumë mund dhe sakrificë.
Më pas, me një urdhër verbal, IKMT rrëzoi një pjesë të godinës, duke mbuluar me gërmadha kamera, pajisje dhe sende me vlerë të pazëvendësueshme. Këto veprime ishin të orkestruara nga një person që emisioni “Vetting” e ka denoncuar publikisht me prova. Ky nuk ishte ligj ky ishte një akt hakmarrjeje brutale ndaj medias.
SPAK e ka thirrur për hetim, por procedurat po zvarriten pafund. Ndërkohë, ajo sillet si bishë e plagosur që kërkon të kafshojë këdo që i del përpara, për të mbuluar të shkuarën dhe për të frikësuar të ardhmen.
Qëndrimi im
Unë nuk kam frikë. Kam lindur një herë dhe do vdes një herë. Nuk i nënshtrohem askujt që shet nderin për të mbytur drejtësinë, që vjedh paratë e shqiptarëve apo firmos tendera të paligjshëm.
Kam bërë një betim: Deri në frymën e fundit, do denoncoj me fakte dhe prova. Dua të ndërtoj të ardhmen këtu, në Shqipëri jo të detyrohem të largohem nga vendi im. Zoti më solli në jetë pa pasuri materiale, por me dinjitet, dhe nuk do bëj kompromis me askënd që sot më fut dorën në xhep mua, nesër fëmijës tim dhe prej kohësh qytetarëve të këtij vendi.
Katër ditë e net të tëra lodhjeje, torturash dhe pagjumësie nuk do i harroj kurrë. Do ua prish gjumin të gjithëve që kanë shkelur ligjin e kanë abuzuar në emër të tij. Ata që mbështesin hajdutët për karrierë, favore apo servilizëm politik edhe pse e dinë që po bëjnë krim meritojnë jo vetëm burgun, por edhe përbuzjen e çdo shqiptari të ndershëm.
Kjo nuk është vetëm beteja ime. Kjo është beteja e çdo gazetari që beson se fjala e lirë nuk blihet dhe nuk shkelet. Është beteja e çdo qytetari që beson se ligji duhet të mbrojë, jo të shkatërrojë. Është beteja e një vendi që nuk duhet t’u nënshtrohet kurrë bandave me uniformë.
