Një 28-vjeçar u arrestua nga Policia e Durrësit, pasi lëvizte me armë zjarri pa leje. 28-vjeçari Endrin Varaku, i dënuar më parë për vrasje u arrestua teksa ishte duke lëvizur me makinë, bashkë me një 25-vjeçar në lagjen numër 13 të Durrësit. Arrestimi i Endrin Varakut u krye në kuadër të një operacioni për goditjen e armëmbajtjes pa leje, ku pistoleta iu gjet në çantën e krahut.
28-vjeçari Varaku akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa 25-vjeçari që e shoqëronte u procedua për “Moskallëzim krimi”.
Në vitin 2013, Endrin Varaku vrau me armë zjarri shokun e tij të klasës, pas një konflikti që lindi mes tyre në autobus, ku asokohe deklaroi se 16-vjeçari Adriatik Tota e kishte prekur me sup dhe e kishte ofenduar. Që prej këtij rasti mes Varakut dhe Totës konfliktet ishin të vazhdueshme, ku më 4 dhjetor të vitit 2013 e vrau me armë zjarri në ofiçinën e Shkollës Profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit.
Njoftimi:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që qarkullojnë me armë pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të kësaj veprimtarie kriminale, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Pasagjeri”.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 13, Durrës, u ndalua automjeti me drejtues shtetasin A. L., ku dyshohej se lëvizte si pasagjer një shtetas i armatosur, shtetasi E. V.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Edrin Varaku, pasagjer në këtë automjet, iu gjet 1 armë zjarri pistoletë, me municion luftarak, që ai e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi E. V., 28 vjeç, banues në Shijak, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërsa shtetasi A. L., 25 vjeç, banues në Shijak, u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
